Limani e nënshkroi në Bruksel Marrëveshjen Ndërkombëtare për Pjesëmarrjen e Maqedonisë së Veriut në Programin e BE-së: “Qytetarët, Barazia, të Drejtat dhe Vlerat”

Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, e nënshkroi në Bruksel Marrëveshjen Ndërkombëtare për Pjesëmarrjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Programin e Bashkimit Evropian “Qytetarët, Barazia, të Drejtat dhe Vlerat” (Citizens, Equality, Right and Values -CERV).
Me rastin e nënshkrimit të kësaj Marrëveshjeje të rëndësishme, Limani e konfirmoi angazhimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut mbi vlerat themelore evropiane – demokracinë, sundimin e ligjit, si dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
“Përfshirja jonë në Programin e Bashkimit Evropian “Qytetarët, Barazia, të Drejtat dhe Vlerat” nuk është vetëm qasje drejt instrumentit financiar, por mundësi thelbësore për përforcimin e drejtësisë sociale, për zhvillimin institucional, si dhe për pjesëmarrjen qytetare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. “Me nënshkrimin e Marrëveshjes për aderim në këtë Program, Maqedonia e Veriut bëhet anëtare e barabartë me shtetet e tjera anëtare të BE-së në këtë segment”, tha Limani pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Anëtarësimi në Programin “Qytetarët, Barazia, të Drejtat dhe Vlerat” paraqet hap të rëndësishëm në harmonizimin me standardet e BE-së dhe integrimin e vendit tonë në të – po ashtu, kontribuon drejtpërdrejt në përmbushjen e kërkesave të kapitujve 23 dhe 24. Krahas kësaj, ky nuk është vetëm një proces i miratimit të zgjidhjeve ligjore, por mbi të gjitha, transformim i vlerave shoqërore, si dhe krijim i një shoqërie gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe demokratike.
Programi u ofron mbështetje financiare organizatave të shoqërisë civile, me çka u mundësohet të aplikojnë për grante, për projektet, të cilat e mbështesin barazinë, tolerancën, si dhe të drejtat e njeriut. Programi gjithashtu e mundëson sendërtimin institucional. Qeveria dhe njësitë e vetëqeverisjes lokale mund të përdorin mbështetje për t’i përmirësuar kapacitetet e tyre në mbrojtjen e të drejtave fundamentale.
Ky program, gjithashtu kontribuon në promovimin e mosdiskriminimit, në luftën e përforcuar kundër pabarazisë gjinore dhe dhunës, si dhe në zbatimin e rekomandimeve të Konventës së Stambollit.
“Vetëm përmes angazhimit kolektiv mund të garantojmë zbatim efektiv të reformave dhe përmirësim të cilësisë së jetës së qytetarëve. Andaj, ftoj të gjitha institucionet dhe organizatat që t’i shfrytëzojnë mundësitë e ofruara të Programit “Qytetarët, Barazia, të Drejtat dhe Vlerat”, të angazhohen në krijimin e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe bashkërisht të punojmë në avancimin e sundimit të ligjit, në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe në përforcimin e demokracisë në Maqedoninë e Veriut” – theksoi mes tjerash, nga Brukseli, Limani.