Një vit më parë, qeveria e re e Maqedonisë së Veriut premtonte një fillim të furishëm, ringjallje të krenarisë kombëtare dhe kthimin e vendit në rrugën evropiane. Sloganet e fushatës shpalosnin një vizion optimist: “Maqedonia përsëri e jotja”, “Koha e Maqedonisë ka ardhur”. Sot, pas një viti në pushtet, këto parulla tingëllojnë më shumë si nostalgji, ndërsa realiteti i përditshëm e zhvesh entuziazmin fillestar dhe sjell në pah dilemat mbi drejtimin që ka marrë vendi, shkruan PressOnline.al

Shporta minimale për një familje katëranëtarëshe ka arritur në mbi 62 mijë denarë, ndërkohë që dy paga minimale nuk mjaftojnë as për mbijetesë. Kërkesat për rritje të pagës minimale në 500 euro u ndeshën me heshtje ose me kredi të reja nga jashtë. Vetëm marrëveshja me Hungarinë dhe Britaninë e Madhe do të sjellë në arkën shtetërore borxhe që shkojnë në miliarda euro.

Nga ana tjetër, qeveria krenohet me investime të huaja, rritje të pensioneve, punësime në polici dhe rezultatet ekonomike të tremujorit të parë. Kryeministri Mickoski e quan ekonominë maqedonase “tigrin e Ballkanit”, duke pretenduar një vend të katërt në Evropë për rritjen e PBB-së. Por opozita e kundërshton këtë narrativë si të pavërtetë dhe të rrezikshme, duke theksuar inflacionin e lartë dhe mungesën e rritjes reale të pagave.

Sipas analizës së organizatave të pavarura si Finance Think dhe Qendra për Menaxhimin e Ndryshimeve (CUP), vetëm 9% e premtimeve socio-ekonomike janë përmbushur. Dhe nga 139 premtime në pesë fusha të ndryshme – përfshirë arsimin, shëndetësinë dhe të drejtat e grave – vetëm 18 janë realizuar plotësisht.

" "

Edhe pse përpjekjet për digjitalizim dhe harmonizim me politikat e BE-së kanë nisur, pengesa kryesore për procesin eurointegrues mbetet mungesa e konsensusit për ndryshimet kushtetuese që përfshijnë njohjen e komunitetit bullgar në Preambulën e Kushtetutës. Kjo çështje, në vend që të zgjidhet, është shtyrë pas zgjedhjeve lokale, duke rrezikuar seriozisht ecurinë drejt anëtarësimit në BE.

Në këtë kontekst, Maqedonia e Veriut ndodhet në një udhëkryq delikat mes simbolikës së premtimeve dhe trysnisë së realitetit. A do të arrijë qeveria të përmbushë premtimet e veta në tre vitet e mbetura? Apo do të mbetemi peng i politikës së ditës, krizës sociale dhe sfidave diplomatike?