BDI: Ministria e Financave urdhëron që të fshihet nacionaliteti nga formularët zyrtarë, sulm ndaj përfaqësimit të drejtë dhe identitetit etnik (DOKUMENT)

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj një urdhërese të Ministrisë së Financave të RMV-së, përmes së cilës institucionet shtetërore obligohen të fshijnë rubrikën “nacionaliteti” nga formularët zyrtarë, duke e zëvendësuar atë me një vijë të thjeshtë ( / ).
“ Ministria e Financave urdhëron institucionet që të fshijnë kategorinë “nacionaliteti” nga formularët zyrtarë dhe ta zëvendësojnë me një vijë (/). Ky është një sulm direkt ndaj përfaqësimit të drejtë dhe shuarje e identitetit etnik nga dokumentet publike”, thuhet në reagim.
Sipas BDI-së, një vendim i tillë përbën shkelje të rëndë të parimeve të përfaqësimit të drejtë dhe barazisë etnike, duke e cilësuar atë si një tentativë për të fshirë identitetin etnik nga dokumentet publike, gjë që është në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën.