Nëntë muaj pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që shfuqizoi balancuesin – mekanizmin që synonte përfaqësim etnik të drejtë në administratë – Qeveria e Maqedonisë së Veriut miraton një propozim-ligj të ri për përfaqësim. Me premtimin për meritokraci dhe “diskriminim pozitiv”, ky projektligj paraqitet si reformë progresiste, por në thelb përbën një zgjidhje formale që thellon padrejtësinë ekzistuese ndaj shqiptarëve në institucionet shtetërore, shkruan PressOnline.al
Qeveria në përbërje me VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM, promovon këtë ligj si një avancim të parimeve kushtetuese për përfaqësim të drejtë. Por kur zhytemi në përmbajtjen reale të ligjit, bëhet e qartë se ai shmang zgjidhjen e problemit që i përket pikërisht shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera të nën-përfaqësuara, dhe krijon një strukturë burokratike pa asnjë fuqi reale për ta zbatuar atë.
Ligji deklaron se përparësi do t’i jepet “meritës” dhe “kompetencës profesionale”. Por në një sistem që historikisht ka diskriminuar shqiptarët në qasje në arsim, trajnime dhe përfshirje institucionale, kjo qasje është një alibi për të ruajtur status quo-në. Kriteri i meritës, i përdorur jashtë kontekstit të barazisë strukturore, është thjesht një justifikim i sofistikuar për përjashtim të ligjshëm.
Madje, edhe mekanizmi i ri që krijohet për zbatimin e ligjit – një trup koordinues qeveritar – nuk ka fuqi ekzekutive, mandat ndëshkues, apo pavarësi institucionale. Ai është një forum këshillues që harton raporte dhe rekomandime, por nuk ka asnjë mjet për të ndikuar realisht në përmirësimin e përfaqësimit.
Ligji parashikon që përkatësia etnike të deklarohet vullnetarisht, ndërsa institucionet mund të përdorin dokumente si letërnjoftimi dhe gjuha e përdorur për të identifikuar etninë. Por kjo logjikë jo vetëm që nuk e garanton përfaqësimin e drejtë, por hap rrugë për abuzime të reja dhe matje jo të standardizuar të përbërjes etnike të administratës.
Shqetësimet e ngritura më herët për vetë-deklarime të rreme – ku maqedonas regjistroheshin si shqiptarë apo anasjelltas – mbeten të paadresuara në mënyrë efektive.
Një nga dobësitë më flagrante të propozim-ligjit është mospërcaktimi i masave ndëshkuese ndaj institucioneve që nuk zbatojnë dispozitat. Vetë përfaqësuesit e qeverisë e justifikojnë këtë mungesë me faktin se edhe ligje të tjera – si ai për përdorimin e gjuhëve – nuk janë zbatuar ndonjëherë me penalizime.
Pra, ligji është një tekst pa dhëmbë, që i delegon përgjegjësinë një trupi simbolik dhe nuk vendos asnjë detyrim praktik për të ndryshuar realitetin e përfaqësimit diskriminues.
Përfaqësuesit e Frontit Evropian dhe të Aleancës për Shqiptarët kanë dalë me qëndrime të ashpra kundër ligjit, duke e cilësuar si një shkelje të frymës së Marrëveshjes së Ohrit dhe si një tentativë për ta zëvendësuar përfaqësimin proporcional me një pseudo-meritokraci që favorizon maqedonasit.
BDI paralajmëron se pa balancues, përfaqësimi do të bjerë ndjeshëm, veçanërisht pasi diaspora është përjashtuar nga regjistrimi. “Ky është një sabotim brutal i të drejtave kolektive”, tha Faton Ahmeti.
Nga ana tjetër, funksionarët shqiptarë të qeverisë, si Izet Mexhiti dhe Arbën Fetai, e mbrojnë ligjin si një hap përpara që garanton “shans të barabartë”. Por përballë realitetit të institucioneve ku shqiptarët janë minorancë administrative, kjo deklaratë tingëllon më shumë si retorikë politike sesa si premtim i mbështetur në mekanizma realë.
Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë e sheh barazinë jo si qëllim, por si slogan. Ai shmang termat si “shqiptar” apo “komunitete të nën-përfaqësuara” dhe fsheh realitetin me formula teknike dhe trupa koordinuese që nuk ndryshojnë asgjë në thelb. Në vend që të jetë një mjet korrigjimi të padrejtësisë historike ndaj shqiptarëve, ky ligj është një mekanizëm për ta legjitimuar atë padrejtësi me instrumente të reja.(PressOnline.al)