Gjatë një viti qeverisje kemi realizuar një numër të madh projektesh, kemi zgjidhur probleme të mëdha, kemi vendosur sistem bashkëpunimi, ndërtuam partneritet me bujqit dhe natyrisht e rikthyem besimin e bujqve ndaj institucioneve.

Periudha prej një viti nuk është e mjaftueshme për realizimin e gjithçkaje që është premtuar, por përbën një progres të rëndësishëm për atë që është bërë dhe ndërtuar gjatë një viti dhe që është në interes të të gjithë bujqve në vend.

Duhet të theksoj se trashëguam një gjendje kaotike, subvencione të papaguara, paga të papaguara, projekte të bllokuara, çmime katastrofale të grumbullimit dhe bujq të zhgënjyer, procedura të ndërlikuara dhe burokraci, kanale tërësisht të lëna pas dore dhe të rrënuara për ujitje në të gjithë territorin , me një fjalë trashëguam një sistem të shkatërruar dhe gjendje alarmante, në të cilën duhej të reagonim shpejt.

Përmes masave dhe hapave konkretë për një vit qeverisje arritëm nga bujq të degraduar, të zhgënjyer dhe të pakënaqur t’ua rikthejmë dinjitetin dhe t’ua vlerësojmë punën, ashtu siç e meritojnë.

Paguan më shumë se 9 miliardë denarë subvencione të papaguara dhe aktuale për mbi 70.000 bujq. Me këtë tregojmë se bujqit kanë një partner në këtë Qeveri dhe se do të mund të përgatiten dhe planifikojnë prodhimin e tyre, me ç’rast kontribuohet në rritjen e prodhimit të produkteve bujqësore.

Miratuam masa ndërhyrëse me të cilat i ndihmuam bujqit:

• Subvencione shtesë për prodhuesit e kumbullës – 5 denarë për kilogram.

• 3 denarë shtesë për kilogramin e dorëzuar të grurit nga të korrat e vitit të kaluar.

• Për prodhuesit e orizit 6 denarë shtesë për kilogramin e grumbulluar të orizit të papërpunuar nga korrja e vitit 2024.

• Rritje për 100% e subvencioneve për prodhuesit e elbit, nga 6.000 në 12.000 denarë për hektar.

U miratua Programi për plotësimin e programit afatmesëm për formimin, ruajtjen, rinovimin dhe përdorimin e rezervave shtetërore, gjë që është me rëndësi të veçantë për faktin se shteti do t’i mbushë rezervat me prodhime vendore, përfshirë orizin dhe grurin.

Në pjesën e duhanit, do të theksoj se në bashkëpunim me blerësit e duhanit dhe me Qeverinë arritëm të rrisim çmimin blerës nga 375 në 400 denarë, ndërsa subvencioni u rrit nga 80 në 100 denarë. Me këtë u arrit çmimi më i lartë ndonjëherë për blerjen e duhanit në historinë e prodhimit të duhanit në Maqedoni.

Vlera e këtij subvencioni të rritur dhe e çmimit blerës solli një rritje në çmimin eksportues prej rreth 4,5 miliardë denarësh.

Përveç përfitimeve financiare, kjo ndikoi edhe në rritjen e sipërfaqeve të mbjella me duhan për korrjen e vitit 2025 në krahasim me vitin 2024. Në vitin 2024 kemi pasur rreth 12.959 hektarë, ndërsa në vitin 2025 kemi 14.475 hektarë me duhan, që është progres i rëndësishëm në prodhimin e duhanit.

Është për t’u gëzuar që pas shumë vitesh kemi rritje edhe të sipërfaqeve me elb dhe grurë.

Për herë të parë në histori kemi përcaktuar çmimin e prodhimit, me ç’rast janë arritur çmimet më të larta blerëse për dy varietete më të përfaqësuara të rrushit për verë: në vitin 2024, për Vranec çmimi ishte 20,8 denarë për kilogram, dhe për Smederevka 18,3 denarë për kilogram.

Në fazë përfundimtare është përcaktimi i çmimit të prodhimit për korrjen e vitit 2025, dhe besoj se këtë vit vreshtarët do të jenë edhe më të kënaqur se vitin e kaluar.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, kemi rritje në blerjen dhe shitjen e produkteve bujqësore, si dhe rritje të eksportit të produkteve bujqësore.

Duke krahasuar tremujorin e parë të vitit 2024 me tremujorin e parë të vitit 2025, kemi një rritje të përafërt prej gati 5%.

Në prodhimin e mollës, sipas të dhënave që kemi, mund të njoftoj se rreth 13.000 tonë mollë maqedonase janë eksportuar në dy muajt e parë të këtij viti. Kjo do të thotë se, në krahasim me vitin 2024, kemi një rritje prej 82%, pra nga 2 në 5 milionë euro nga eksporti vetëm i kësaj kulture.

Sa i përket lakrës së pranverës, kishim një çmim të shkëlqyer në plasmanin që nuk ishte parë prej kohësh në rajonin e Strumicës.

Çmimi i lakrës së pranverës nuk ra nën 35 denarë, ndërsa çmimi mesatar i lakrës së blerë nga gjithë korrja ishte 43 denarë për kilogram. Për këtë korrje pritet një rendiment rreth 40.000 tonë. Në rajonin e Strumicës janë futur rreth 30 milionë euro vetëm nga eksporti i kësaj kulture të vetme perimore.

Sa i përket shpërndarjes së tokës bujqësore, mund të them se ndryshe nga e kaluara, tani ajo jepet për punim bujqve të vërtetë, që me të vërtetë duan të merren me bujqësi dhe të sigurojnë ekzistencën nga ajo.

Kemi lidhur mbi 2.100 kontrata për një sipërfaqe prej 5.942 hektarësh në gjithë territorin e shtetit.

Me ribalancimin e buxhetit, në fillim të mandatit siguruam 250 milionë denarë shtesë për paga në Ndërmarrjen Publike “Pyjet Kombëtare” dhe 100 milionë denarë për paga në SHA “Ekonomia e Ujërave”.

Këto mjete u siguruan për të shlyer pagat e prapambetura që i trashëguam nga Qeveria e mëparshme, siç e dini, ato ishin vonuar për disa muaj, dhe të punësuarit ishin lënë pa mjete bazë për jetesë.

Siguruam edhe 132 milionë denarë shtesë për rinovimin e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, që mbulon gjithë territorin. Këto janë mjete shtesë të siguruara përmes Programit për bujqësi dhe zhvillim rural, përveç Programit për Ekonominë e Ujërave që është në vlerë mbi 7 milionë euro.

Në interes të bujqve dhe ujitjes së sipërfaqeve bujqësore, kemi vendosur një njësi të veçantë projektuese – “Ujitja në Maqedoni”, e cila duhet të kujtojmë se me trashëgiminë e Qeverisë ishte tërësisht jofunksionale, me staf të pamjaftueshëm dhe me përqindje të ulët të realizimit të aktiviteteve projektuese.

Sot kemi ujë në çdo arë në tërë shtetin.

Gjithashtu, kemi shpallur thirrje publike për masën 112 – “Ndihmë për bujqit e rinj për të filluar veprimtari bujqësore”, me grant prej 10.000 euro për përfitues.

Kjo masë është kyçe për sigurimin e ndryshimit gjeneracional në bujqësi. Po punojmë që të rinjtë të kthehen në zonat rurale dhe të fillojnë të merren me bujqësi.

Shpallëm 4 thirrje publike për masën 121 – “Modernizimi i fermave bujqësore”, me mbështetje maksimale prej 600.000 denarë për përfitues për blerjen e traktorëve, mekanizëm ndihmës dhe pajisje të tjera, shitje nga pragu i shtëpisë, investime në pajisje për prodhim të verës, pijeve alkoolike dhe birrës me prodhim të vogël, etj.

U shpall thirrja publike për dorëzimin e kërkesave për mbështetje financiare nga Programi IPARD për masën 7 – Diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i bizneseve.

Në fillim të këtij viti po ashtu u shpall thirrja publike për masën 1 – Investime në mjete themelore për ekonomitë bujqësore.

Të nderuar,

Qeveria, përmes Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, i mbështet edhe institucionet shkencore-arsimore. Për këtë qëllim, siguruam mbështetje prej 61.500.000 denarësh për: Institutin Shkencor të Duhanit – Prilep; Institutin për Blegtori dhe Peshkim, FSHBU, si dhe me Universitetin e Tetovës.

Mbështetja e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave nuk ndalet këtu:

Mbështesim edhe manifestimet dhe panairet lokale, për këtë qëllim, në vitin 2024, i ndamë marrëveshje për mbështetje për organizimin e ngjarjeve dhe panaireve lokale për 56 shoqata në vlerë prej 6.6 milionë denarësh.

Në vitin 2025, për 54 shoqata u ndanë mjete mbështetëse në shumë prej 10.9 milionë denarësh.

Me këtë, vazhdojmë të mbështesim manifestime që nënkuptojnë zhvillim të turizmit lokal dhe promovim të produkteve bujqësore dhe përpunimeve maqedonase.

Me 28 përdorues të gjahut nënshkruam 67 kontrata për rritje dhe mbrojtje të gjahut në zonat e gjuetisë.

E pranuam kërkesën e sindikatës së pavarur për njohjen e stazhit të beneficuar për pjesëtarët e policisë pyjore, ndërmorëm masa dhe hapa konkrete, shumë shpejt nga sot, kjo llogaritje do të hyjë në fuqi. Aktualisht, kërkesat e tyre për përmirësimin e kushteve të punës dhe kompletimin e stafit dhe profesionalizimit po zgjidhen në mënyrë graduale.

Për një vit arritëm të hapim disa njësi rajonale dhe zyre në gjithë shtetin, dhe atë në: Bosillovë, Novo Sellë, Jegunoc, Rosoman, Mogillë, Novac. Do të vazhdojmë të hapim edhe në komunat tjera më të vogla me qëllim që Ministria të jetë më afër çdo bujku.

E kemi ulur burokracinë dhe pritjet e panevojshme, ndryshe nga më parë, tani bujqit kanë obligim vetëm një herë në vit të paraqesin prodhimin e tyre dhe të përfitojnë nga subvencionet e Ministrisë.

Në bashkëpunim me Bankën Botërore kemi bërë rindërtimin e projektit “Modernizimi i bujqësisë”, me ç’rast, për projektin që duhej të përfundonte më 30.06.2025 dhe që kishte progres të vogël, e vumë në funksion, i aktivizuam aktivitetet dhe e zgjatëm afatin me qëllim që të punohet më shumë për ta përfunduar projektin.

Projekti përfshin ndërtimin e një qendre grumbulluese-distribuese në Strumicë, ndërtimin e një qendre logjistike-distribuese në Gazi Babë, modernizimin e kushteve të punës në Agjencinë e Pagesave, përpunimin e zgjidhjeve softuerike që do të jenë në dobi të Ministrisë dhe bujqve.

ISHIS është një platformë e integruar moderne digjitale për ndjekjen e qarkullimit të masës drusore, menaxhimin me planifikimin e pyjeve dhe luftën kundër prerjeve ilegale.

Ndër të tjera, një nga inovacionet më të rëndësishme është futja e fletë-dërgesës elektronike për ndjekjen e rrjedhës së masës drusore, me qëllim parandalimin e keqpërdorimeve që ndodhnin në të kaluarën.

U sollën ndryshime në disa ligje, siç janë: Ligji për pyje, Ligji për tokën bujqësore, Ligji për gjahun dhe gjuetinë, Ligji për fitofarmaci.

U realizua analizë e Strategjisë Kombëtare për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe është në përgatitje edhe rishikimi i kësaj strategjie.

Është përgatitur edhe një draft-ligj i ri për bujqësi dhe zhvillim rural, për të cilin në periudhën e kaluar është mbajtur debat publik. Së bashku me bujqit, kooperativat bujqësore dhe komunitetin shkencor do të ndërtojmë një themel të fortë për zhvillimin e bujqësisë, sepse pikërisht në këtë ligj përcaktohen drejtimet për të cilat do të duhet të ecë sektori bujqësor në Maqedoni.

Përkushtimi ynë është të krijojmë masa dhe politika që do ta çojnë sektorin bujqësor në drejtimin e duhur, të bëhemi një vend që do ta rrisë prodhimin e ushqimit, do ta rrisim eksportin e produkteve bujqësore, por edhe të ushqehemi me produkte bujqësore vendore.

Përmes ndryshimeve dhe eliminimit të pengesave ligjore, e zhbllokuam edhe procesin për dhënien e licencave për funksionimin e farmacive bujqësore dhe ndamë mbi 350 licenca për qytetarë që i kanë fituar pas dhënies së provimit në fushën e fitofarmacisë.

E përgatitëm dhe e prezantuam, përmes mbajtjes së disa debateve publike, Planin Kombëtar të Veprimit për përdorim të qëndrueshëm të produkteve fitofarmaceutike.

Të nderuar,

Në fund, dua të theksoj se kritikat dhe akuzat e pabazuara dhe të zbehta nga opozita nuk na penguan të përmbushim atë që ua premtuam qytetarëve dhe bujqve, për çka morëm mbështetje të madhe nga qytetarët.

Vazhdojmë të punojmë me ndershmëri dhe përgjegjësi.

Për një Maqedoni ku do të vlerësohet puna e përkushtuar e bujkut maqedonas dhe do të shpërblehet.

Për një Maqedoni vend partner i bujqve, për një sektor bujqësor të fortë dhe të qëndrueshëm për gjeneratat e ardhshme.

Vazhdojmë t’i ndërtojmë themelet e ndryshimeve. Për kohën tënde që po vjen.