Qyteti holandez i Hagës sërish ishte në qendër të politikës botërore, kësaj here si mikpritës i një samiti historik të NATO-s. Në rolin e “qytetit të paqes dhe drejtësisë”, Haga hapi dyert për diplomatët nga 32 vendet anëtare, përfshirë kancelarin e ri gjerman, presidentin amerikan dhe liderët evropianë. Me rrugët e saj të qeta, korridoret diplomatike dhe institucionet e së drejtës ndërkombëtare, Haga prej kohësh e mban titullin “qytet i drejtësisë”.

Në këtë seli mbretërore gjenden Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare, ndërsa tani u zhvilluan edhe bisedimet strategjike për të ardhmen e sigurisë globale. Hollanda, ndonëse territorialisht e vogël, përmes stabilitetit, transparencës dhe kapaciteteve diplomatike, është simbol i ndërmjetësimit të balancuar në kohë të trazuara.

Gjatë samitit, autoritetet zbatuan masa të shtuara të sigurisë, por atmosfera lokale mbeti e hapur dhe mikpritëse – njësoj si fryma e vetë qytetit që bashkon drejtësinë, diplomacinë dhe paqen.

Fokusi i samitit ishte i qartë – avancimi drejt qëllimit të ndarjes së 5% të BPV-së si shpenzime kombëtare për mbrojtjen. Ky vendim e rishpërndan ndjeshëm barrën financiare, veçanërisht te vendet udhëheqëse evropiane. Në fund, ky qëllim u arrit dhe u mor një vendim historik për rritjen e shpenzimeve për mbrojtje – një vendim që dikur dukej i paimagjinueshëm, por që u arrit, siç tha edhe vetë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, me ndihmën e presidentit amerikan Donald Trump. Kjo është një fitore e madhe për të, por edhe për Evropën dhe Aleancën në një kohë sfidash globale.

Në sfond qëndron lufta në Ukrainë, por edhe agresiviteti i shtuar i Rusisë dhe zgjerimi i vazhdueshëm i Kinës. Kremlini tashmë shpenzon mbi 149 miliardë dollarë në vit (rreth 7% të BPV-së), ndërsa Pekini shpenzon midis 246 314 miliardë (rreth 1,7% të BPV-së). Në krahasim, shtetet anëtare të NATO-s aktualisht shpenzojnë rreth 1,5 trilionë dollarë, ndërsa propozimi do ta rrisë atë shumë në 2,18 trilionë dollarë.

Për ilustrim të këtyre shifrave, Gjermania deri më tani shpenzonte 97.7 miliardë dollarë për mbrojtje, ndërsa me vendimin e ri kjo shumë do të rritet në 230.5; Mbretëria e Bashkuar nga 81.8 miliardë në 167.2; Franca nga 64.7 në 154.5 miliardë. Disa vende, veçanërisht Spanja, shprehën kundërshtim të hapur duke thënë se nuk mund të ndajnë 5%, ndërsa si përgjigje presidenti amerikan tha se do të negociojë personalisht me Spanjën dhe se edhe ata duhet të paguajnë si të tjerët. Aktualisht, SHBA-të ndajnë 3.4% të BPV-së për mbrojtje, por shpenzimet e tyre nuk janë subjekt diskutimi duke pasur parasysh se ato mbulojnë rreth 2/3 e kostove të Aleancës.

Iniciativa për rritjen e shpenzimeve konsiderohet si ndryshimi më i madh që nga Lufta e Ftohtë – jo vetëm financiarisht, por edhe politikisht. Bëhet fjalë për një bashkëpunim të ri ndërmjet SHBA-së dhe Evropës përballë këtyre sfidave të forta gjeopolitike.

Kjo rritje do ta çojë shpenzimin vjetor të përgjithshëm të NATO-s për mbrojtje në mbi 2 trilionë dollarë – një rritje prej gati 45%. Veçanërisht, kjo e redistribuon dukshëm barrën, me një rol më të madh të aleatëve evropianë.

Kjo obligim i NATO-s nuk është vetëm një rregullim fiskal, por edhe një deklaratë serioziteti. Në fund, ky samit mund të mbahet mend si momenti kur ndryshoi balanca e fuqisë dhe përgjegjësisë brenda aleancës. Erol Shaqiri, TV21, Hagë.