ASH: Diskriminimi ndaj shqiptarëve thellohet, nga 19 avancime dhe 23 vende të reja pune, asnjë shqiptarë!

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, z. Arben Taravari, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të Kryeministrit aktual për punësimet e realizuara gjatë 12 muajve të fundit.
“Kryeministri deklaron se janë punësuar 12 mijë njerëz. Po sa prej tyre janë shqiptarë? Më pak se 1 mijë. Të tjerët janë maqedonas. Kjo është gënjeshtra më e madhe që përsëritet çdo muaj: janar, shkurt, mars… dhe sot jemi më 26 qershor”, – deklaroi z. Taravari.
Këto deklarata nuk janë vetëm propagandë e zakonshme qeveritare, por fshijnë realitetin diskriminues që çdo qytetar shqiptar e ndjen në lëkurë: institucionet po mbyllen sistematikisht për shqiptarët, ndërkohë që po betonohen pozitat e një etnie të vetme – maqedonasve.
Faktet flasin vetë. Së fundmi, në Fondin për Sigurim Shëndetësor të RMV-së, së fundmi janë realizuar 19 avancime, prej të cilave: 18 për maqedonas, 1 për turk dhe 0 vende për shqiptarët
Në tri ditët e fundit, Agjencia për Administratë dhe Fondi Pensional dhe Invalidor i RMV-së kanë shpallur konkurse për 23 vende të reja pune, të gjitha në rajonin lindor të vendit, ku nuk jeton asnjë shqiptar.
Kjo nuk është rastësi. Kjo është politikë shtetërore e përjashtimit, e koordinuar mirë dhe me heshtjen e atyre që më parë flisnin në emër të shqiptarëve, por sot janë bërë pjesë e skemës qeveritare të diskriminimit dhe manipulimit.
ASH paralajmëron se nëse kjo qasje e njëanshme nuk ndalet menjëherë, si parti, do të përdorë të gjitha format demokratike për të ndërkombëtarizuar këtë diskriminim strukturor dhe për të kërkuar mekanizma ligjorë dhe kushtetues që garantojnë përfaqësimin real të shqiptarëve në institucionet shtetërore.