Perinski: Të hapur dhe llogaridhënës pjesëmarrja – qytetare çelësi për një vetëqeverisje lokale efikase

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, së bashku me ambasadoren e Zvicrës, Veronik Ulman, morën pjesë në një panel diskutimi të fokusuar te tema me rëndësi të veçantë – vetëqeverisja lokale dhe pjesëmarrja qytetare. Në fjalën e tij, ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me sektorin qytetar si një komponent thelbësor për decentralizimin dhe menaxhimin lokal të suksesshëm.
“Hapja ndaj sektorit qytetar rrit besimin dhe përmirëson llogaridhënien, që sjell shërbime më cilësore dhe një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët,” theksoi Perinski.
Ai theksoi se Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, si bartëse e politikave për zhvillim të balancuar rajonal dhe përmirësimin e sistemit të vetëqeverisjes lokale, është aktive në gjetjen e zgjidhjeve sistematike që përmirësojnë kushtet e punës së komunave, dhe me këtë edhe cilësinë e jetës së qytetarëve.
Perinski nënvizoi se Ministria vepron si partner i komunave, duke krijuar kushte për efikasitet më të madh, transparencë dhe ofrim të shërbimeve publike më cilësore.
Me ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, tha Perinski, parashikohen mekanizma të rinj përgjegjësie ndaj qytetarëve, si mundësia për nisjen e referendumit për besimin ndaj kryetarit të komunës, rritje e transparencës dhe llogaridhënies së këshillave komunale dhe përfshirje më e madhe e qytetarëve në hartimin e politikave lokale.
Ministri theksoi veçanërisht rolin e sektorit qytetar edhe në politikën për zhvillim të balancuar rajonal. Shoqatat dhe sektori i biznesit përfshihen në Këshillat e zhvillimit të rajoneve plane, ndërsa përmes forumeve rajonale sigurohet pjesëmarrje edhe në planifikimin dhe financimin e projekteve.
Brenda Programit për decentralizim dhe zhvillim të qëndrueshëm 2021–2026, janë parashikuar aktivitete të drejtuara ndaj të rinjve, grave dhe kategorive vulnerabël, përmes qendrave inovative komunale, akseleratorëve dhe inkubatorëve.
“Këto janë vetëm disa nga aktivitetet përmes të cilave nxisim zhvillimin, bashkëpunimin dhe përfshirjen e qytetarëve. Vetëm përmes hapjes dhe partneritetit mund të njohim dhe adresojmë nevojat reale të komuniteteve,” përfundoi ministri Perinski.