Falë iniciativës dhe kontributit vetjak të afaristëve nga fshati Zherovjan, sot kanë nisur punimet për sanimin dhe asfaltimin e rrugës hyrëse të këtij fshati, e cila prej kohësh kishte nevojë për rikonstruim.

Auto Servis “Porshe”, me pronar Emir Aliu, ka marrë përsipër realizimin e kësaj pune të rëndësishme për komunitetin, duke dhënë shembull të mirëfilltë të përgjegjësisë shoqërore dhe solidaritetit brenda fshatit.

Kryetari i Komunës së Bogovinës, z. Besnik Emshiu, përmes një statusi publik ka shprehur mirënjohjen për këtë akt:

“Në emrin tim si kryetar i falënderoj për ndihmën dhe këtë iniciativë sipërmarrësit e fshatit Zherovjan! Kjo është një dëshmi se kur bashkohet vullneti i mirë dhe puna konkrete, përfiton i gjithë komuniteti.”

Punimet pritet të përfundojnë brenda një afati të shkurtër, duke përmirësuar dukshëm qasjen dhe sigurinë e lëvizjes për banorët dhe vizitorët e fshatit Zherovjan.