Prokuroria Themelore Publike në Manastir ka lëshuar Urdhër për fillimin e procedurës hetimore kundër një 22-vjeçari nga Manastiri, i dyshuar për veprën penale – Vjedhje me dhunë, sipas nenit 238 paragrafi 1 i Kodit Penal, njoftojnë nga Prokuroria Publike.

“Më 23 qershor, rreth mesditës, i dyshuari ka hyrë në një sallon floktarie dhe i ka kërkuar para floktarit. Ky i fundit ka refuzuar t’i japë me vullnet, pas çka i dyshuari ka shfrytëzuar momentin kur i dëmtuari ishte larguar nga sirtari ku i mbante të ardhurat nga shërbimet e floktarit, e ka hapur sirtarin dhe ka marrë pothuajse të gjitha paratë që ndodheshin aty, përkatësisht 3.000 denarë. Menjëherë është përpjekur të largohet nga salloni, por i dëmtuari e ka kapur dhe e ka mbajtur për ta penguar të ikte derisa të vinte policia. I kapur në flagrancë, i dyshuari e ka kërcënuar të dëmtuarin se do ta spërkatë me gaz lotsjellës, për çka i dëmtuari e ka lëshuar dhe ai është larguar me paratë e vjedhura. Personi ende është në arrati dhe policia është në kërkim të tij”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, prokurori publik ka paraqitur kërkesë te gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Manastirit për caktimin e masës së paraburgimit, e cila do të zbatohet menjëherë pas kapjes dhe privimit nga liria të të dyshuarit.

“Masa e paraburgimit është kërkuar pasi bëhet fjalë për një person që më parë është dënuar për vepra të njëjta apo të ngjashme dhe është e qartë që po fshihet dhe po përpiqet t’i shmanget organeve të ndjekjes penale. Dëshmitë më të rëndësishme për ngjarjen janë deklaratat e të dëmtuarit dhe dëshmitarëve që kanë qenë të pranishëm në sallon në atë moment, prandaj pa masën më të rreptë të sigurimit ekziston rreziku real që i dyshuari të përpiqet të ndikojë tek ata dhe të pengojë procedurën hetimore. Prokurori publik ka marrë parasysh në mënyrë të veçantë deklaratën e të dëmtuarit, i cili ndjehet i kërcënuar dhe kërkon mbrojtje nga i dyshuari gjatë zhvillimit të procedurës,” thuhet në njoftim.