Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) ka reaguar ashpër ndaj Qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe Ministrit të Brendshëm Pançe Toshkovski, duke i akuzuar për neglizhencë dhe qasje selektive ndaj çështjes së ndërtimeve pa leje, veçanërisht në komunën e Çairit.
Sipas LSDM-së, autoritetet shtetërore kanë dështuar të veprojnë ndaj mbi 150 ndërtesave të paligjshme, ndërkohë që në raste të tjera po ndjekin qytetarë për shkelje minimale. “Në Makedonska Kamenicë, Ministria e Brendshme ka ngritur padi penale ndaj një qytetari vetëm për rinovimin e çatisë së shtëpisë së tij. Një çati – padi penale. 150 ndërtesa të paligjshme – asgjë,” thuhet në reagimin e LSDM-së, duke e cilësuar këtë si shembull të drejtësisë selektive dhe të ndikimit politik mbi institucionet.
Partia opozitare kërkon që Kryeministri Hristijan Mickoski të japë llogari për heshtjen e tij ndaj, siç e cilësojnë ata, “mbrojtjes së mafies urbane”, dhe ngrenë dyshime mbi përfshirjen e mundshme të tij në skema të paligjshme. “Sa kohë do të gjunjëzohet para VLEN? A është edhe ai i përfshirë në skemën kriminale?”, pyet LSDM në deklaratë.
Opozita kërkon nisjen e një hetimi të menjëhershëm dhe mbajtjen përgjegjës të të gjithë të përfshirëve, pa përjashtim – përfshirë kryetarë komunash, këshilltarë apo zyrtarë të lartë partiakë.
“Lufta kundër ndërtimeve pa leje nuk duhet të varet nga përkatësia politike. Askush nuk duhet të jetë i paprekshëm, pavarësisht nëse është partner në koalicionin qeveritar të Mickoskit”, përfundon deklarata e LSDM-së.