Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska vlerëson se rritja e prodhimtarisë industriale për 9,4 për qind në maj të këtij viti në krahasim me majin e vitit të kaluar është tregues se industria po merr kurs të qëndrueshëm të rritjes.
Në një publikim në Fejsbuk, Dimitrieska Koçoska potencoi se rritje më të madhe ka në miniera, prej 18,8 për qind.
Në industrinë përpunuese, bën të ditur ministrja, rritja është 9 për qind, me kontribut më të madh nga: industria ushqimore dhe e tekstilit, prodhimtaria e pijeve, produkteve farmaceutike dhe kimike, prodhimtaria e pajisjeve elektrike, automjete dhe mobilie.
“Këto janë sinjale të fuqishme se industria po merr kurs të qëndrueshëm të rritjes – mbështesim prodhimtari vendore, eksport dhe zhvillim ekonomik”, shkruan Dimitrieska Koçoska.
Siç bëri të ditur Enti Shtetëror i Statistikave sot, sipas grupeve kryesore industriale, prodhimtaria në maj të vitit 2025, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak, shënon rritje tek Prodhimet intermediare, përveç energjisë për 13.7 për qind, Produktet kapitale për 13.5 për qind dhe Prodhime jo të qëndrueshme për konsum të gjerë për 6.6 për qind, derisa rënie vërehet te Energjia për 8.0 për qind dhe Prodhime të qëndrueshme për konsum të gjerë për 9 për qind.
Rritje më të madhe ka në prodhimtarinë e pajisjeve elektrike prej 31.2 për qind, pastaj prodhimi i makinerive dhe pajisjeve 18.4 për qind dhe prodhimi i automjeteve motorike, rimorkiot dhe gjysmërimorkio 21.8 për qind.
Indeksi i prodhimtarisë industriale në periudhën janar – maj 2025, në krahasim me periudhën janar – maj 2024, është 103.3.