Para së gjithash, më lejoni t’ju falënderoj sinqerisht për bashkëpunimin profesional dhe mbështetjen e vazhdueshme, veçanërisht në drejtim të informimit të saktë, të drejtë dhe në kohë gjatë periudhës kur ushtroj funksionin si ministër për vetëqeverisje lokale.
Gjatë vitit të kaluar, Ministria për Vetëqeverisje Lokale e konfirmoi rolin e saj thelbësor si një nxitës i zhvillimit të barabartë dhe partner i çdo komune dhe çdo qytetari.
Bëmë një vlerësim të saktë të gjendjes në terren dhe konstatuam se komunat kanë nevojë për mbështetje të fuqishme për të gjallëruar ekonominë lokale dhe për të përmirësuar cilësinë e infrastrukturës.
Me angazhim të plotë nga ana e Qeverisë, ndërmorëm hapa të vendosur – filluam me investime të vërteta në infrastrukturë dhe vendosëm kornizën për zhvillim strategjik dhe të balancuar të shtetit. Kjo është një temë komplekse që nuk varet vetëm nga një institucion, por kërkon përpjekje të përbashkëta dhe të koordinuara nga më shumë sektorë.
Përmes Nënprogramit AА për projekte infrastrukturore në komuna, në kuadër të dy thirrjeve publike, komunat aplikuan me rreth 1200 projekte kapitale infrastrukturore. Investimi total nga të dyja thirrjet është rreth 20 miliardë denarë – që përbën shpërndarjen më të madhe të mjeteve publike për mbështetje të zhvillimit lokal ndonjëherë.
Në thirrjen e parë publike për vitin 2024 janë miratuar për financim 288 projekte nga fusha e transportit, mjedisit jetësor, arsimit, kulturës, sportit dhe politikës sociale.
Në thirrjen e dytë, e cila përfundoi më 30 prill 2025, janë dorëzuar 887 aplikacione nga 80 komuna dhe procesi i vlerësimit tashmë është përfunduar. Ky interes i lartë është tregues i qartë i gatishmërisë dhe nevojës së komunave për investime kapitale, dhe njëkohësisht është konfirmim se masa e ndërmarrë nga Qeveria ishte në kohën e duhur, strategjikisht e drejtë dhe në përputhje me nevojat reale të vetëqeverisjeve lokale. Janë miratuar për financim gjithsej 829 projekte, në vlerë prej 13.868.138.877 denarë.
Për më tepër, përmes Programit për Zhvillim të Barabartë Rajonal, gjatë viteve 2024 dhe 2025 janë miratuar për financim 176 projekte që synojnë përmirësimin e zhvillimit në rajonet planore, fshatra dhe zona urbane, si dhe zonat me nevoja të veçanta zhvillimore.
Përmes Programit për Zvogëlimin e Pabarazive ndërmjet dhe brenda rajoneve dhe për rritjen e konkurrueshmërisë rajonale për vitin 2025 janë mbështetur 38 projekte, në vlerë totale prej 87.925.000 denarë.
Në partneritet me Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, janë realizuar 10 projekte rajonale në të gjitha rajonet planore. Nga këto projekte, mund të veçojmë:
Rikonstruktimi i Spitalit për Nefrologji në Strugë;
Pajisja e një qendre moderne për terapi fizikale në spitalin “Shën Erazmo”;
Projekt për mbrojtje dhe parandalim nga zjarret në komunat Kumanovë, Likovë, Staro Nagoriçane dhe Rankovcë;
Rikonstruksioni dhe adaptimi i Shtëpisë së të Moshuarve në Berovë.
Po ashtu, vazhdojmë të mbështesim digjitalizimin e shërbimeve komunale. Në kuadër të projektit “Fuqizimi i këshillave komunalë”, po zhvillohen aktivitete në bashkëpunim me Ministrinë për Transformim Digjital për krijimin e një “udhërrëfyesi” për digjitalizimin e shërbimeve lokale dhe për hartimin e një katalogu të E-shërbimeve që do të përfshihen në portalin kombëtar uslugi.gov.mk.
Ministria për Vetëqeverisje Lokale, në bashkëpunim me komunat, po zbaton projekte të financuara nga Delegacioni i BE-së, që synojnë zhvillim ekonomik dhe social në nivel lokal. Tashmë janë në fazën përfundimtare të zbatimit 8 projekte, me vlerë totale prej 336.762.274 denarë. Disa nga këto janë:
“Zgjidhje digjitale inovative komunale” në Komunën e Tetovës;
“Aerodrom i pastër – Mbeturina të ngurta zero” në Komunën e Aerodromit;
“Ohri bëhet qytet i gjelbër, i mençur dhe inovativ”;
“Strumica – Qytet i biçikletave të mençura”.
Ministria e ka finalizuar tekstin e Ligjit për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, përmes një procesi të hapur dhe transparent. Ndryshimet janë në përputhje me standardet evropiane dhe bazohen në Raportin e Komisionit të Venecias të vitit 2019, veçanërisht në drejtim të forcimit të demokracisë lokale përmes mundësisë së revokimit të kryetarëve të komunave.
Të nderuar,
Ministria po punon aktivisht edhe në krijimin e një Qendre Burimore për mbështetje të komunave. Është përgatitur një studim fizibiliteti, me fokus në forcimin e kapaciteteve administrative të komunave, mbështetje në menaxhimin e projekteve dhe përshpejtimin e transformimit digjital. Koncepti është miratuar nga Qeveria dhe janë parashikuar 5.000.000 denarë në Programin për Decentralizim nga buxheti i ministrisë.
Në kuadër të Instrumentit IPA për para-anëtarësim, Ministria koordinon procesin e programimit dhe zbatimit të programeve të bashkëpunimit ndërkufitar me vendet fqinje.
Përmes IPA 3, arrihen rezultate të rëndësishme që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe forcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Janë aktive programet me pesë vende fqinje: Greqia, Bullgaria, Serbia, Shqipëria dhe Kosova. Do të veçoja dy projekte me rëndësi strategjike:
Ndërtimi i kalimit kufitar Klepalo (Berovë–Strumjan) – që do të ndihmojë zhvillimin ekonomik të rajonit lindor përmes lehtësimit të tregtisë dhe turizmit;
Vënia në funksion e kalimit kufitar Markova Noga (Prespë) – që do të përmirësojë komunikimin me Greqinë, do të nxisë turizmin dhe do të lehtësojë qasjen për banorët e rajonit të Prespës.
Gjithçka që kemi ndërmarrë gjatë vitit të kaluar ka qenë e orientuar drejt përmirësimit të cilësisë së jetës së të gjithë qytetarëve, dhe mbetemi të përkushtuar ndaj nevojave dhe pritjeve të tyre.