Edhe pse deklarativisht premton orientim europian, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, po shfaq gjithnjë e më hapur përplasje me Bashkimin Evropian. Pa kompromis, pa garanci dhe pa një dorë të shtrirë – vendi ngec në vendnumëro, ndërsa Unioni ecën përpara, shkruan PressOnline.al
Mickoski ka deklaruar publikisht se Maqedonia e Veriut mbetet në rrugën europiane, por mesazhet e tij gjithnjë e më shumë devijojnë nga vlerat themelore të BE-së. Në vend të gatishmërisë për kompromis, në qendër janë vijat e kuqe kombëtare, qëndrimet e ashpra dhe retorika e përplasjes me institucionet europiane. Kjo nxit një pyetje të thellë: A është integrimi europian një qëllim strategjik apo vetëm një mbulesë retorike?
Nga premtime në konfrontim
Në një varg paraqitjesh publike, kryeministri ka rikonfirmuar mbështetjen formale për integrimin europian, por njëkohësisht ka lëshuar kritika të forta ndaj BE-së, duke hedhur dyshime mbi përkushtimin real të Qeverisë në këtë drejtim.
“Nuk pranojmë diktat, nuk bëjmë lëshime, kemi vizatuar vijat tona të kuqe” – është bërë mantra e përsëritur e Mickoskit në lidhje me procesin eurointegrues, veçanërisht në kontekstin e kontestit me Bullgarinë.
Nga Mynihu: “Europianizimi i Ballkanit u kthye në ballkanizim të Europës”
Në Konferencën e Sigurisë në Mynih, në shkurt të vitit 2025, Mickoski shprehu zhgënjim të thellë ndaj qasjes së BE-së ndaj vendit:
“Në vend të europianizimit të Ballkanit, kemi ballkanizim të Europës. Në vend të sistemit të meritës, po përballemi me standarde të dyfishta dhe bllokada bilaterale.”
Mickoski shkoi edhe më tej, duke krahasuar heshtjen e BE-së ndaj mohimit të identitetit maqedonas nga një vend anëtar, me invazionin rus ndaj Ukrainës.
“Europa dënon Rusinë për mohimin e identitetit ukrainas, por hesht kur një parlament i një vendi anëtar mohon gjuhën dhe identitetin maqedonas.”
Nga Brukseli: “Po, për reforma – jo për ultimatume”
Në disa paraqitje nga Brukseli, Mickoski theksoi se integrimi europian nuk mund të kushtëzohet me çështje historike:
“Nuk mund të ecim drejt shekullit XXI me kushte nga mesjeta. Ne nuk pranojmë ultimatume.”
Ai paralajmëroi se politika e Qeverisë do të jetë një “proces paralel” – reforma të brendshme, por pa lëshime që do të cënonin identitetin kombëtar.
Mesazhi për Shqipërinë – dhe për BE-në
Pasi Shqipëria nisi rrugën e veçantë në negociatat me BE-në, Mickoski i uroi sukses, por shtoi:
“Nuk mund të pranojmë kushte në kurriz të identitetit kombëtar pa garanci. Për mua kjo është diktaturë.”
Në një deklaratë nga shtatori 2024, ai ishte i prerë:
“Nëse ky është rrugëtimi, atëherë jo, faleminderit – këto nuk janë vlerat në të cilat brezi im është rritur.”
“Nuk do t’u lustrojmë këpucët europianëve”
Në një konferencë për shtyp pas 100 ditëve të para të qeverisjes, më 1 tetor 2024, Mickoski drejtoi kritika të ashpra ndaj pritshmërive nga BE-ja:
“Nëse dikush mendon se duhet t’u lustrojmë këpucët politikanëve europianë – atëherë unë nuk jam bashkëbiseduesi i duhur. Me mua mund të bisedohet vetëm mbi argumente.”
Ai ritheksoi se fokusi do të mbetet te reformat dhe integrimi, por “pa poshtërime shtesë dhe pa lëshime”.
Përplasje në Parlamentin Europian: Frika nga fshirja e gjuhës dhe identitetit
Së fundmi, Mickoski reagoi me shqetësim ndaj një amendamenti në Parlamentin Europian, që sipas tij, synon “me mënyrë talebane” të fshijë referencat për gjuhën dhe identitetin maqedonas nga raporti për progresin e vendit:
“Në shekullin XXI, në zemër të Europës, ka eurodeputetë që mohojnë identitetin e një populli të vogël dhe gjuhën e tij amtare.”
Mickoski tha se shumë eurodeputetë nuk do ta mbështesin këtë amendament, por vetë fakti që është propozuar është, sipas tij, një grusht në fytyrë për të gjitha vlerat demokratike që BE-ja pretendon të përfaqësojë.