Parlamenti Evropian sot në kuadër të seancës së kësaj jave në Strasburg, do të votojë për miratimin e Raportit të eurodeputetit austriak Tomas Vajc për vendin për vitin 2023 dhe 2024.
Në propozim tekstin e raportit janë paraqitur gjithsej 28 amendamente, mes të cilave edhe tre si propozim i përbashkët i eurodeputetëve Andzhej Halicki në emër të Partisë popullore evropiane (PPE), Ketlin Van Brempt në emër të Aleancës progresive të socialistëve dhe demokratëve (SD) dhe Dan Barna në emër të grupit liberal “Të rinovojmë Evropën” (RE), me të cilat kërkohet fshirja e formulimit “gjuha dhe identiteti maqedonas” nga dokumenti.
Votimi i sotëm vjen pas debatit parlamentar të mbrëmshëm për Raportin, në të cilin Vajc, i cili është raportues i Parlamentit Evropian për vendin, tha se dokumenti jep një pamje të plotë për atë se ku ndodhet vendi dhe në të përshëndeten disa arritje, por kërkohen edhe reforma, dhe flitet për gjuhën e urrejtjes, nevojën për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, dhe jo vetëm për miratimin e ligjeve, por edhe për rezultatet që do të ndihen nga qytetarët.
Vajc theksoi se 20 vjet më parë, vendi ishte udhëheqës i procesit të pranimit në BE, të cilin e filloi së bashku me Slloveninë.
“Ku është Sllovenia sot dhe çfarë i ndodhi Maqedonisë së Veriut? Epo, pati disa pengesa gjatë rrugës. Pengesa që lidhen me historinë, pengesa që lidhen me luftërat e shekullit të kaluar, pengesa në rrugën e ndërtimit të marrëdhënieve të mira dypalëshe me fqinjët. Por marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë duhet të ndërtohen gjithmonë nga të dyja palët, kjo është shumë e qartë”, shtoi Vajc.
Ai theksoi se, megjithëse vendi ka qenë në rrugën e anëtarësimit në BE për 20 vjet dhe ka zbatuar një pjesë të konsiderueshme të legjislacionit evropian, ai ende nuk ka filluar zyrtarisht negociatat për anëtarësim në BE, edhe pse duhet ta kishte bërë këtë.
Në fjalimin gjatë debatit, komisionerja e BE-së për zgjerim, Marta Kos, theksoi se anëtarësimi në BE është një nxitës kyç për zbatimin e reformave më të rëndësishme, prandaj është e rëndësishme që vendi të vazhdojë të përparojë në procesin e anëtarësimit, kryesisht duke zbatuar ndryshimet kushtetuese.
“Qeveria në Shkup ka një mundësi dhe përgjegjësi historike për të ndërmarrë një hap vendimtar drejt BE-së dhe për të shfrytëzuar momentumin e zgjerimit që ekziston qartë. Ne vazhdojmë ta mbështesim Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, theksoi Kos.
Ajo theksoi se me këtë Raport, BE-ja jep një mesazh të qartë për mbështetje për rrugën evropiane të vendit, por gjithashtu përcakton kushtet e nevojshme që të ecë përpara.
“E vlerësojë mbështetjen e kësaj Dhome për të mbetur të angazhuar. Maqedonia e Veriut i përket Bashkimit Evropian”, shtoi Kos.
Gjatë debatit, shumica e eurodeputetëve shprehën mbështetje për aspiratat evropiane të vendit dhe për anëtarësimin e tij në BE, duke vlerësuar se vendi ka treguar angazhim të vërtetë ndaj përpjekjeve për anëtarësim, ka zbatuar reforma të rëndësishme dhe është afruar më shumë drejt BE-së.
Ata theksuan se zgjerimi duhet të mbetet një proces i bazuar në meritë dhe se përparimi në anëtarësimin në BE duhet të varet nga përmbushja e kritereve të Kopenhagës, dhe se kjo nuk duhet të minohet nga mosmarrëveshjet historike dhe çështjet dypalëshe.