Kuvendi i Maqedonisë së Veriut shënoi 11 korrikun, Ditën Ndërkombëtare e Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. Kryeparlamentari Afrim Gashi, u shpreh se mbi 8.000 jetët e shuara padrejtësisht nuk janë vetëm histori e trishtë e Srebrenicës, por janë një traumë kolektive dhe një thirrje e fuqishme për drejtësi dhe reflektim. Këtë më pas e lidhi edhe me atë që po ndodh në Gazë.
“Dhe, për fat të keq, Srebrenica nuk është e fundit. Një Srebrenicë tjetër, madje me përmasa shumë më të mëdha, po ndodh sot në Gaza, ku një popull është ekspozuar në zhdukje fizike dhe po vdes jo vetëm nga plumbat e granatat, por edhe për mungesë të bukës. Luciferit nuk i ka mjaftuar Srebrenica dhe, si duket, nuk do t’i mjaftojë as Gaza”, theksoi Afrim Gashi, Kryetar i Kuvendit.
Përfaqësuesja e trupit koordinues për shënimin e 30 vjetorit të Srebrenicës, Sellma Rizvanoviq-Mandall, tha se edhe pas 30 vitesh nga ngjarja e zymtë dhe e turpshme e Europës, ende ka mohues të gjenocidit ndaj 8372 viktimave, duke e quajtur atë masakër.
“Ne sot jetojmë në kohë të revizionimit intensiv dhe mohim të gjenocidit, madje edhe manifestim të të njëjtit dhe ndaj aktorëve. Dhe kjo nuk është e spontane, nuk është e drejtë legjitime e mendimit, si liria e fjalës, por fenomen i organizuar dhe si rezultat, kemi mohim më të madh sesa para 20 vitesh”, pohoi Sellma Rizvanoviq-Mandall, Trupi koordinues për shënimin e 30 vjetorit të Srebrenicës.
Xhevat Hot nga Këshilli Nacional Boshnjak theksoi se nuk huhet lejuar heshtja, mohimi dhe urrejtja. Kujtimi për Srebrenicën është detyrim moral dhe njerëzor, vazhdoi ai, por edhe parakusht për paqe.
“Srebrenica nuk është vetëm dhimbje, është rikujtim, obligim, amanet që shoqëria jonë të kontribuojë forcë dhe mjete në arsim që do t’i mësojë brezat e ardhshëm për të vërtetën, kulturën e kujtesës, në institucionet që do t’i kundërvihen çdo lloj urrejtjeje”, pohoi Xhevat Hot, Këshilli Nacional Boshnjak .
Në shënimin e kësaj dite, si i ftuar nga Bosnje dhe Hercegovina foli Drejtor i institutit për hulumtimin e krimeve në Sarajevë, Muamer Xhananoviq, i cili theksoi se gjenocidi në Srebrenicë, është krimi më i dokumentuar në historinë moderne dhe për të nuk ka vend për narrative alternative.