Fetai zhvillon takim me përfaqësuesit e lartë të UNOPS – Forcim i partneritetit për qeverisje të mirë dhe reforma drejt Bashkimit Evropian

Shkup, 09.09.2025 – Zëvendëskryeministri i Qeverisë, i angazhuar për politika të Qeverisjes
së Mirë, Arben Fetai, priti sot në takim znj. Kirstine Damkjaer, Zëvendësdrejtoreshë
Ekzekutive e UNOPS-it, dhe z. Tim Lardner, Drejtor Rajonal për Evropën dhe Azinë
Qendrore, në kuadër të vizitës së tyre zyrtare në Maqedoninë e Veriut, si dhe ambasadoren
e Zvicrës, znj. Veronique Hulmann, dhe Shefin e Bashkëpunimit për Zhvillim nga Ambasada
e Suedisë – Mikael Atterhog.
Gjatë takimit u diskutua mbi bashkëpunimin e frytshëm në kuadër të projektit “Mbështetje
për Integrimin Evropian të Maqedonisë së Veriut”, i cili zbatohet nga UNOPS me
mbështetjen e Qeverisë së Suedisë dhe Zvicrës. Projekti përfaqëson një model të
suksesshëm të koordinimit ndërmjet partnerëve zhvillimorë dhe institucioneve vendore, duke
vendosur qytetarin në qendër të reformave.
Zëvendëskryeministri vlerësoi lart mbështetjen e vazhdueshme të UNOPS-it, Suedisë dhe
Zvicrës, dhe theksoi se qeverisja e mirë, transparenca, sundimi i ligjit dhe lufta kundër
korrupsionit mbeten ndër prioritetet kryesore në procesin e integrimit evropian.
"Jemi të përkushtuar të vazhdojmë punën për ndërtimin e institucioneve të forta, të
përgjegjshme dhe të hapura ndaj qytetarëve. Përmes bashkëpunimit të ngushtë me
partnerët tanë ndërkombëtarë, po ndërmarrim hapa të rëndësishëm drejt përmbushjes së
standardeve dhe vlerave evropiane", theksoi Zëvendëskryeministri.
Pjesëmarrësit në takim riafirmuan rëndësinë e përforcimit të integritetit institucional dhe
sigurimin e rezultateve të prekshme nga reformat për qytetarët, si dhe shprehën
gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të ardhmen.