Pas katërmbëdhjetë vitesh pune në Ballkan, projekti televiziv rajonal Al Jazeera Balkans po mbyllet, është konfirmuar për mediumin boshnjak “Klix.ba”.

AlJazeeraBalkans (AJB) është krahu rajonal i Rrjetit Mediatik AlJazeera që ka selinë kryesore në Katar, ndërsa dega në Sarajevë u hap më 11 nëntor 2011.

Ajo u transmetua në gjuhën boshnjake-kroate-serbe në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, Kroacinë, Serbinë, Malin e Zi, Slloveninë, Maqedoninë e Veriut dhe madje edhe në diasporë, AJB ofroi një përzierje lajmesh, dokumentarësh, debatesh të drejtpërdrejta, biznesi, teknologjie dhe sportesh të prodhuara në vend, të plotësuara nga transmetimet në AlJazeeraEnglish.

Në 14 vitet e fundit, Al Jazeera Balkans ka qenë e njohur sidomos për përmbajtjen e saj origjinale që lidhet me segmentin e dokumentarëve, por edhe me një numër projektesh të tjera. Është stacioni i parë televiziv që transmeton një program në një gjuhë tjetër përveç arabishtes dhe anglishtes, shkruan mediumi boshnjak, transmeton Gazeta Express.

Al Jazeera Balkans ka qenë e pranishme në Sarajevë që nga mesi i shtatorit 2010, kur bleu stacionin televiziv lokal NTV Studio 99 nga kompania “PEP” në pronësi të Adil Kulenović për 2.3 milionë BAM, që ishte shuma e borxheve të atij stacioni televiziv ndaj shtetit.

Në vitin 2018, Al Jazeera Balkans themeloi AJB DOC, një festival filmi dokumentar, i cili zhvillohet në Sarajevë çdo shtator.

Arsyet e mbylljes nuk janë njoftuar ende, por supozohet se ishte një vendim biznesi nga Doha për shkak të arsyeve financiare.