Shkruan:Analisti – Qani Shabani
Deklarata e fundit e Kryeministrit Hristijan Mickoski, pas votimit të raportit në Parlamentin Evropian, u dha zë një ndjenje të përhapur në një pjesë të shoqërisë maqedonase: se vendi ndodhet përballë një padrejtësie të përsëritur historike. Sipas tij, vendimi i BE-së nuk është vetëm çështje teknike apo diplomatike, por një sinjal më i thellë se në themel të ngërçit qëndron vetë identiteti maqedonas.
Një qëndrim i tillë, edhe pse emocionalisht i kuptueshëm, ngre pyetje të rëndësishme për drejtimin që po merr diskursi politik në Maqedoninë e Veriut. Sepse, nëse gjithçka përkufizohet si “sulm ndaj identitetit”, atëherë çdo kritikë, çdo kusht reformues dhe çdo proces negociator rrezikon të përjetohet si kërcënim, e jo si mundësi për përparim.
Rruga drejt Bashkimit Evropian ka qenë gjithmonë një proces i ngarkuar me sfida për vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe Maqedonia e Veriut nuk ka qenë përjashtim. Nga kontesti i emrit me Greqinë, deri te çështjet e hapura me Bullgarinë, vendi ka treguar shpesh gatishmëri për të bërë kompromis. Por pikërisht sepse këto lëshime kanë qenë të dhimbshme dhe me kosto të lartë politike, vendimi për të ndalur tani, për të ngritur një mur retorik dhe për të mbyllur derën e ndryshimeve kushtetuese, e bën situatën edhe më delikate.
Mickoski thotë se problemi nuk janë disa qindra qytetarë që identifikohen si bullgarë dhe që mund të përfshihen në Kushtetutë. Ai thekson se thelbi është shumë më i thellë dhe lidhet me vetë mënyrën se si BE-ja i qaset identitetit maqedonas. Por, ndërkohë, ai shmang një temë po aq thelbësore: mungesën e progresit në reformat e brendshme që BE-ja i ka përsëritur në çdo raport – si drejtësia, lufta kundër korrupsionit, pavarësia e institucioneve, liria e medias.
Integrimi nuk është shpërblim emocional, por një kontratë e bazuar në parime, rregulla dhe standarde. Nuk është çështje krenarie, por e kapaciteteve të një shteti për të funksionuar sipas modelit evropian. Dhe nëse BE-ja ngul këmbë në përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, nuk e bën për të ndryshuar identitetin e dikujt, por për të garantuar të drejtat e pakicave – një vlerë themelore e vetë Bashkimit.
Nëse Maqedonia e sheh veten si pjesë e këtij unioni, atëherë rruga kalon përmes angazhimeve konkrete, jo vetëm përmes deklaratave të forta. Sepse një vend nuk matet nga sa fort mbron identitetin në fjalime, por nga sa thellë e ndërton shtetin ligjor në praktikë.
Evropa nuk është perfekte dhe shpesh është treguar burokratike, e ngadaltë dhe herë pas here edhe kontradiktore. Por ajo mbetet një projekt paqeje dhe zhvillimi që i ka shërbyer mirë vendeve që kanë ditur të kapin momentin dhe të mos mbeten peng të retorikave të brendshme.
Për Maqedoninë e Veriut, ky është një moment i tillë: një çast i ndjeshëm ku duhet zgjedhur nëse do të vazhdohet me ndjesinë e viktimës, apo me përgjegjësinë e një shteti që i përket së ardhmes evropiane.
Dhe për këtë të fundit, duhen më pak fjalë dhe më shumë reforma.