Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se Maqedonia e Veriut ka qenë pjesë e operacionit ndërkombëtar (ОА) 3.5 JAD Global Chain. Sipas njoftimit të MPB-së, në operacionin që kishte për qëllim parandalimin e trafikimit me njerëz dhe emigracionin e paligjshëm, morën pjesë 43 shtete dhe institucione si Europol, Interpol dhe Fronteks, ndërsa në Varshavë të Polonisë u vendos qendra koordinuese.

“Në total, lidhur me këto vepra penale janë arrestuar tetë persona, ndërsa shtesë, në rajonin e Tetovës është arrestuar edhe një person ndaj të cilit më parë ishte shpallur urdhër-arrest ndërkombëtar (red notice) nga Republika e Sllovakisë për vepër penale – “trafikim me njerëz”. Gjithashtu, janë zbuluar nëntë viktima të trafikimit, prej të cilëve gjashtë janë persona nën moshën 18-vjeçare (të mitur), ndërsa tre janë mbi 18 vjeç. Është sekuestruar një pistoletë e markës “Smith & Wesson SW 1911″ dhe gjashtë plumba kalibri 45 mm, të cilët pronari i posedonte pa leje të duhur, për çka është ngritur procedurë penale. Njëkohësisht, janë paraqitur një numër i madh i kallëzimeve për kundërvajtje në përputhje me Ligjin për të Huajt, për shkak të qëndrimit të parregullt të të huajve në RMV apo për abuzim me qëndrimin, si dhe kallëzime për kundërvajtje ndaj disa subjekteve juridike për shkelje në punë (punëtorë të paregjistruar, mosrespektim të orarit të punës, kushte të paplotësuara për punë, dhe të tjera).”, thonë nga MPB.