280 pjesëtarë të rinj i janë bashkuar të premten Policisë së Kosovës. Në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 62-të të Policisë, udhëheqës shtetërorë dhe të organeve ligjzbatuese u bënë thirrje atyre për shërbim me profesionalizëm dhe me dinjitet, teksa theksuan se tejkalimi i autorizimeve nuk do të tolerohet
Të veshur për herë të parë me uniformë blu dhe me t’i përsëritur rreshtat e betimit për shërbim në detyrë, 279 kadetë iu bashkuan radhëve të Policisë së Kosovës.

Në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 62-të të Policisë, zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, u bëri thirrje policëve të rinj t’i shërbejnë vendit me përkushtim e integritet.

E ato që i quajti synime për cenimin e integritetit të Policisë shkaku i rasteve të izoluara, tha se shkojnë në dëm të interesave të Kosovës.

“Përpjekjet dhe fushatat për ta cenuar integritetin, profesionalizmin dhe imazhin e Policisë së Kosovës, bazuar në raste të izoluara, tregojnë për qëllime në dëm të interesave të Republikës së Kosovës e kërcënim ndaj institucioneve të saj të respektuara, si policia”, ka thënë Bislimi.

Tek iu referua rastit të vdekjes së 27-vjeçarit, Agon Zejnullahu, gjatë arrestimit në Lipjan, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, tha para policëve të rinj se tejkalimi i autorizimeve nuk do të tolerohet.

“Ju duhet të mbani mend se do të merrni vendime të rëndësishme gjatë karrierës suaj policore. Por ju udhëzoj që çdo veprim që do ta merrni, duhet të jetë në harmoni me ligjin, me procedurat e brendshme dhe me urdhrat e ligjshëm të eprorëve tuaj”, është shprehur Hoxha.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u kërkoi atyre që detyrën ta kryejnë me profesionalizëm dhe duke e respektuar ligjin.

“Integriteti do të jetë udhërrefyesi juaj në shërbim, disiplina do t’ju shërbejë ta përmbushni misionin tuaj me nder e krenari, ndërsa vullneti dhe profesionalizmi juaj do të mundësojë që policia jonë të jetë edhe më profesionale dhe efikase në mbrojtjen e rendit dhe ligjit”, ka deklaruar Sveçla.

E, zëdhënësi i Gjeneratës së 62-të, Fatbardh Berisha, e bëri zotimin për angazhim në ruajtjen e besimit të qytetarëve te Policia.

“Përmes këtij trajnimi ne kemi mësuar se si të përballemi me sfidat dhe si të kontribuojmë në mënyrë efektive në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si t’u shërbejmë qytetarëve, si ta mbrojmë jetën dhe pronën e tyre, si ta zbatojmë ligjin, duke qenë të ndershëm, etikë dhe me integritet të lartë”, ka thënë Berisha.

Në mesin e pjesëtarëve të rinj të Policisë janë 261 shqiptarë, 11 serbë, 4 boshnjakë, 2 egjiptianë dhe 2 turq.