Me shpenzime shtetërore do të realizohen 6 tentativa për fertilizim in vitro, kërkesat do të miratohen për 2 javë në vend të 3 muajve

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të kenë të drejtë për gjashtë tentativa të fertilizimit in vitro falas me mbulim të plotë nga shteti, në vend të treve që ishin deri tani. Këtë e bëri të ditur sot drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski, duke theksuar se këto ndryshime janë pjesë e ligjit të ri për mbrojtjen shëndetësore të popullsisë, i miratuar më 10 korrik nga Kuvendi me iniciativë të një grupi deputetësh në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Fondin.
“Ndryshimi i parë është që Fertilizimi i Asistuar Mjekësor (BPO), ose siç njihet popullarisht ‘in vitro’, tashmë bëhet pjesë e paketës bazë të shërbimeve shëndetësore. Numri i tentativave rritet nga tre në gjashtë. Ndryshimi i tretë është se këto trajtime janë tërësisht pa participim, pra falas për qytetarët. Gjithashtu, kemi shkurtuar afatin për miratimin e dokumentacionit nga tre muaj në dy javë. Komisioni për miratimin e kërkesave do të mblidhet dy herë në javë,” tha Klekovski.
Ai theksoi edhe digjitalizimin e procesit, ku komunikimi me aplikuesit tashmë do të bëhet në mënyrë elektronike dhe voucherët do të dërgohen digjitalisht, duke shmangur problemet që ndodhnin me postën.
Sipas të dhënave të vitit të kaluar, ka pasur 1.495 kërkesa për in vitro, ndërsa janë realizuar 1.108 ndërhyrje në tetë qendrat shëndetësore në vend, shumica për fëmijën e parë.
Klekovski paralajmëroi edhe hapjen e një banke për material riprodhues në Klinikën për Gjinekologji dhe Obstetrikë në Shkup.
Ndërkohë, me ndryshimet në udhëheqjen e Fondit, tani do të ketë vetëm një drejtor dhe një zëvendësdrejtor, për të qartësuar përgjegjësinë e funksionimit të institucionit.
Zëvendësdrejtori Branko Adzhigogov njoftoi se për trajtime jashtë vendit, Komisioni i Dytë nuk do të kontrollojë më vendimet e Komisionit të Parë, por do të merret vetëm me ankesat. Kjo do të mundësojë që menjëherë pas vendimit të Komisionit të Parë të mund të shkohet për trajtim jashtë vendit. Ankesa do të shqyrtohen nga Komisioni Shtetëror, jo nga Ministria e Shëndetësisë, për shkak të mungesës së kapaciteteve dhe vonesave në përgjigje.
Së fundi, Klekovski tha se është nisur edhe procesi për barazimin e të drejtave për sigurim shëndetësor për shtetasit e huaj me qëndrim të rregulluar në vend, si pjesë e përmbushjes së kërkesave të BE-së, ndërsa hapi i ardhshëm është ndryshimi i Ligjit për sigurim të detyrueshëm shëndetësor.