Në vend që të kërkojë falje për mungesën e përfaqësimit të kulturës shqiptare në institucionet shtetërore përgjatë dy dekadave qeverisje, BDI po përpiqet që sot të hedhë fajin diku tjetër, duke keqpërdorur politikisht edicionin e sivjetshëm të “Verës së Ohrit”.
Por qytetarët nuk harrojnë. Shumë festivale për 20 vjet janë zhvilluar nën drejtimin e atyre që sot bëjnë sikur e zbuluan diskriminimin, ndërsa vetë kanë ndërtuar dhe mirëmbajtur një sistem ku kultura shqiptare ishte e përjashtuar, e heshtur dhe e margjinalizuar.
Ku ishte BDI për 20 vite kur: Filharmonia mbeti me 4% përfaqësim shqiptar në nivelet vendimmarrëse? Opera dhe Baleti me 1 %? Agjencia e Filmit u kthye në klub të mbyllur ku artistët shqiptarë nuk patën qasje? Festivalet, teatrot, muzeumet dhe institucionet e trashëgimisë kulturore u bënë pronë e klaneve dhe jo e shoqërisë?
Në vend të përgjigjes për këto dështime, eksponentë të BDI-së flasin sot për përjashtim, ndërsa nuk thonë asnjë fjalë për skandalet korruptive që rëndojnë mbi ta.
Sot, kur VLEN është pjesë e pushtetit, nuk ikim nga përgjegjësia për të ndrequr këtë gjendje. Po e bëjmë me hapa konkretë, me reforma të thella dhe me qasje të barabartë për të gjitha komunitetet, jo me folklor partiak.

Ne nuk jemi këtu për të bërë zhurmë me fjalë boshe, por për të sjellë ndryshime reale. Po përgatisim një strategji të re për përfaqësimin kulturor. Po hapim dyert për artistët shqiptarë në çdo institucion kombëtar. Dhe do të sigurojmë që kultura shqiptare të mos jetë më dekor ceremonial, por shtyllë e barabartë e identitetit shtetëror.

Të gjithë e dinë: BDI përjashtoi, VLEN përfaqëson. BDI heshti, VLEN flet me vepra. BDI harroi kulturën shqiptare, VLEN po ia kthen dinjitetin.
Kultura nuk është vegël për propagandë ditor, është vlerë kombëtare. Dhe me VLEN, ajo nuk do të përjashtohet më.