Refuzimi i vazhdueshëm i Albin Kurtit për të angazhuar një qasje shtetformuese, që e vendos interesin e shtetit para atij partiak, po e kthen legjitimitetin që iu dha me votë më 9 shkurt në një farsë të rrezikshme që i minon demokracinë dhe besimin e qytetarëve në shtet. Në vend të një rruge të mençur për dalje nga kriza, po zgjidhet këmbëngulja në rrugë pakrye. Koha nuk pret dhe qytetarët e Kosovës meritojnë institucione funksionale e jo ngërçe të pafundme politike të shkaktuara nga egoja e një lideri që nuk di të qeverisë pa pushtet absolut
As tre muaj pas certifikimit të rezultateve zgjedhore të 9 shkurtit dhe as pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kosova nuk po arrin t’i konstituojë institucionet. Legjislativi është në bllokadë teksa po i afrohemi “përpjekjes” së pesëdhjetë për zgjedhjen e kandidates së LVV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, e për të cilën e dimë se do të jetë e dështuar ngase partia fituese e zgjedhjeve nuk i ka 61 votat e nevojshme. Me afatin 30-ditor të dhënë nga Gjykata Kushtetuese e që po afron, duket se rezultati zgjedhor po shkon huq, pasi nuk ka bisedime e as dakordim midis partive parlamentare për një kandidat të pranueshëm nga të gjithë e që do t’i siguronte votat për t’u zgjedhur në krye të Kuvendit.

Rezultati zgjedhor nuk ia dha shumicën parlamentare asnjërës parti. Kësisoj, mënyra e vetme për të dalë nga bllokada politike është marrëveshja mes grupeve parlamentare për ta krijuar një shumicë, nga e cila do të zgjidhej kryetari\ja e Kuvendit. Por, megjithëqë i ka fituar 42 për qind të votave, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duket se nuk po di se çfarë të bëjë me këtë rezultat të lakmueshëm të partisë. Ai e ka zgjedhur një rrugë pakrye, në të cilën partia e tij për të pesëdhjetën herë me radhë po i mëshon murit me kokë. Kjo kokëgoditje në fund do ta rrëzojë LVV-në dhe liderin e saj, ngase qytetarët veçse janë të lodhur nga absurdi politik i rikandidimit të një kandidateje që nuk e gëzon mbështetjen e shumicës.

Albin Kurti nuk di se çfarë të bëjë me votat që i ka, ngase projeksioni i tij prej 500.000 votash – gjithsesi jorealist, duke e pasur parasysh qeverisjen e dobët të LVV-së gjatë katër vjetëve të kaluar – nuk është realizuar. Në mendësinë e tij, e vetmja mënyrë për të ecur përpara është nëse LVV-ja e ka shumicën parlamentare. Në rastin aktual, kur kjo parti nuk e ka shumicën, Kurti nuk di se si të sillet. Ai është më i kënaqur të mbetet kryeministër në detyrë sesa të angazhohet bashkë me partitë e tjera për krijimin e institucioneve legjislative e qeverisëse.

Çfarë tregon kjo për Albin Kurtin, si lideri i forcës politike më të madhe në vend? Mendoj, aktualisht më të madhe, sepse besoj që qysh në zgjedhjet e radhës LVV-ja do të humbë këtë status. Më 2021, Albin Kurti e fitoi mbështetjen më të madhe politike nga qytetarët prej pasluftës e këtej. Kjo mbështetje ia krijoi atij mundësinë që të etablohet si burrështetas e lider politik (jo vetëm i partisë së tij), e që, në rast se do të vepronte ndryshe, do ta mbante mbështetjen e gjerë popullore edhe për një kohë të gjatë. Mirëpo, me veprimet e tij Albin Kurti e ka humbur këtë shans.

Në vend që të sillet si burrështetas që krijon sinergji politike, duke u angazhuar në dialog të sinqertë që i vë interesat e vendit mbi ato partiake dhe duke bërë kompromise, ai po e bën të kundërtën. E vetmja gjë që po i intereson është ta mbajë pushtetin absolut. Pra, pushteti i pakufishëm është e vetmja mënyrë me të cilën Kurti di si të sillet. Në fakt, sjellja kryeneçe e tij tregon për mungesë të sensit politik dhe të gatishmërisë për të bërë kompromise me të tjerët për interesa të vendit e që janë karakteristika thelbësore të një burrështetasi. Moskokëçarja e tij për krizën institucionale tregon për mungesë lidershipi dhe për prirje për t’i vënë interesat e pushtetit personal para atyre të përgjithshme.

Një lider i përgjegjshëm nuk do të lejonte që vendi të mbetej pa institucione. Të kujtojmë kompromisin që lideri historik i LDK-së, Ibrahim Rugova, e bëri më 2002, kur ia dha bekimin krijimit të qeverisë së drejtuar nga PDK-ja e me pjesëmarrje të AAK-së, megjithëqë partia e tij i pati fituar mbi 45 për qind të votave.

Ky kompromis i Rugovës dëshmoi për cilësinë e tij si një lider mbarëpopullor që ishte në gjendje ta sakrifikonte pushtetin personal për hir të interesave nacionale. Rezultat tjetër i këtij vendimi të Rugovës ishte se kjo bashkëqeverisje ndikoi dukshëm në zbutjen e raporteve mes të të ashtuquajturit krah të luftës dhe atij të paqes, që fill pas luftës qenë, thënë së buti, të acaruara.

Mirëpo Kurti nuk është kategori e as kalibër i liderit sikurse Rugova, megjithëqë populli në dy zgjedhjet e fundit ia dha mundësinë që të tregojë udhëheqje dhe ta krijojë figurën e burrështetasit të njëmendtë. Ai këtë dështim të tijin po na e dëshmon dita-ditës, sa herë që me vetëdije këmbëngul në një opsion për të cilin e di se do të dështojë, e këtë e bën edhe me kushtin që ta fusë vendin në një krizë me pasoja afatgjata politike, ekonomike e sociale.

Me qëndrimin e tij polarizues, Kurti po e dëshmon veten si politikan të paaftë për të gjetur zgjidhje politike për një situatë në të cilën rrugëdalja është lehtë të gjendet. Një lider e burrështetas nuk do ta lejonte këtë. Kalkulimin për pushtet ai do t’ua nënshtronte interesave nacionale. E ku ka interes nacional më të rëndësishëm sesa ekzistimi i institucioneve ligjvënëse dhe qeverisëse. Ku ka cenim më të rëndë të këtyre interesave sesa ta lësh vendin pa institucione?

Pohimi i Kurtit se Kosova paska Qeveri por nuk paska Kuvend, siç e kam thënë edhe në një kolumne tjetër, nuk është vetëm komik, por tregon edhe për moskokëçarjen e tij për votat që i fitoi më 9 shkurt. Vullneti politik i popullit nuk po jetësohet. Qytetarët nuk dolën në zgjedhje për ta vështruar cirkun bajat të orkestruar nga Kurti në Kuvend. Qytetarët presin me të drejtë konstituim të Kuvendit, bazuar në parimin demokratik të shumicës parlamentare dhe formimin e Qeverisë së re sipas procedurave të përcaktuara me Kushtetutë e që po ashtu bazohen në parimin e shumicës parlamentare.

Kurti këtë shumicë nuk e ka. Prandaj mënyra e vetme për ta siguruar shumicën është që të pajtohet me partitë e tjera për emrin e kryeparlamentarit\es. Akuzat e partive të tjera për bllokim të Kuvendit nuk kryejnë punë. Janë të kota. Me akuza nuk formohen institucionet, por në konstelacionin aktual në Kuvend kjo bëhet me kompromise e marrëveshje politike.

Bllokada institucionale në të cilën ndodhet Kosova nuk është vetëm pasojë e mungesës së votave, por edhe e mungesës së vullnetit politik për bashkëpunim e kompromis. Refuzimi i vazhdueshëm i Albin Kurtit për të angazhuar një qasje shtetformuese, që e vendos interesin e shtetit para atij partiak, po e kthen legjitimitetin që iu dha me votë më 9 shkurt në një farsë të rrezikshme që i minon demokracinë dhe besimin e qytetarëve në shtet. Në vend të një rruge të mençur për dalje nga kriza, po zgjidhet këmbëngulja në rrugë pakrye. Koha nuk pret dhe qytetarët e Kosovës meritojnë institucione funksionale, e jo ngërçe të pafundme politike të shkaktuara nga egoja e një lideri që nuk di të qeverisë pa pushtet absolut.