Shkruan: Merxhan Jakupi
Natën e kobshme, kur Tito ishte ndarë me Stalinin, ish-partizanëve të Luftës së Madhe u kish hyrë djalli në mes. Ishin përçarë e përlarë.
Njëri nga ish-partizanët, duke u grindur me mikun e tij, një ish-partizan e veteran, e kishte qëlluar në kokë me taketuke.
Njëri kishte thënë “Rroftë Enveri dhe Stalini!”, kurse tjetri “Rroftë Tito!”.
Tek sokaku i Lurajve, disa veteranë të Dovletit bënin sir.
Rustem Topojani i tha Mamutit: -Eh, këta të shkretët, janë bërë armiq të njëri-tjetrit, ndërkohë që babai i Alushit tha : I shkreti vdiq për së kotipër një lugë dhallë.
-Këta kapadai më shumë e duan Stalinin, Titon e Enverin se sa baballarët e vet, tha Mamuti.
-Do ketë luftë, -u tha Lluta disa veteranëve të Dovletit dhe burrave të tjerë që ishin ulur në tryezë të kafenesë së Llutës.
-Rusia do ta marrë Jugosllavinë- pëshpëriti Lluta.
-Rusia dhe Serbia do na e bëjnë keq. Shqiptarët e Toplicës e të Leskovcit do na i shkulë me fis e me farë, ia ktheu Rustem Topojani. Zi e më zi, si Junani çamët!, tha ai.
Kur Tito dhe Enveri u ndanë, fesati, përçarja, nisi mahallë më mahallë. Ata të Gjinëve, Topojanëve dhe Ukallarëve ishin me Enverin në këtë punë, kurse ata të mahallës së Krishqëve, Zenajve dhe Gjurëve ishin me Titon.
-U ka hy fesati! Duan ta ndajnë katundin!-tha Haqif Qafëgjati.
Ndërkohë, e mori fjalën Ziber Uka dhe tha: “Nëse nis lufta prapë, do vemë mexhe prej sokakit Lurëve, te mëhalla e Krushqeve. Topojanë e Ukajt do jenë Shqipni e Madhe, kurse prej mahallës së Gjinës e deri tek kodra e Velës dhe Gjuri Katunit, këta ndaç le të shkojnë me Serbinë, ndaç me Bullgarinë”.
Ja e mori fjalën Mamuti dhe tha: N’djall shkofshin, jarabi!
Kur pleqtë kishin shkuar ta falin sabahun, te muret e xhamisë kishin shkruar: “Rroftë Shqipnija e Madhe”
Kohën e fundit ishte bërë zakon pyetjet: Me kë jeni? A jeni me ne, ose me ata?
Pasi i kishin marrë tre ish-partizanë javën që shkoi, me pranga në dorë, milicia kishte rrethuar lagjen e Gjinëve. Kishin bastisur shtëpitë dhe kishin gjetur armë dhe foto të Stalinit dhe Enverit.
Burrat e katundit ishin ngujuar nëpër shtëpi dhe u kishin hyrë ethe e luftës. Imami kishte thënë: Hip se t’vrava, zbrit se t’vrava! Nuk di njeri se me cilin të shkojë.
Duke hequr tespitë, Mezini tha: Do ketë luftë. Jugosllavia asht e rrethueme, dita- ditës pritet Rusia ta marrë.
Ndërkohë, te kafeneja e Llutës, në mbrëmje dëgjonin radion.
Lluta i kishte ndal disa stacione për t’i dëgjuar. Mund të dëgjoheshin vetëm Radio Beogradi, Radio Zagrebi.
-Ja paskan mbledh edhe Llutës bijtë, -tha Zeneli.
-Para ndarje se Titos me Stalinin, tha Ramadan Laçi, – veteranët e Luftës së Madhe këndonin e pinin, shanin Dovlet e Krajl dhe Mbretin Zog.
“RROFTË SHQIPNIJA E MADHE ME MBRETIN AHMET ZOGIN”!
Tek shtëpia e Dem Delisë, në kohën e luftës, kishte qenë një çerdhe partizanësh. Milicia, me rastin e bastisjes, kishte gjetur hartën e Shqipnisë së Madhe. Pas rrëzimit të Titos, si pas rrëzimit të Stalinit dhe Enverit, harta ishte e zgjeruar.
Kufiri shqiptar mendohej të ishte deri te “Molla e Kuqe”. Armata e Kuqe, së bashku me ushtrinë shqiptare, do çlironin Ulqinin, Plavën e Gucinë. Pastaj do marshohej drejt Greqisë për të çliruar Çamërinë. Dy ish-partizanë e tash militantë ishin përshëndetur me shokët: “Lamtumirë dhe mirë u pafshim në Shqipninë e Enver Hoxhës!”
Një bari, duke u kthyer nga kooperativa, ishte ndalur te kafeneja e Llutës.
-Ne jemi betuar deri në vdekje. I kemi dhënë besën Partisë, Titos, Stalinit e Enver Hoxhës, tha ai. Në fund, pasi shprazi gotën me raki, bariu përshëndeti me grusht: Roftë la Enveri!
Të nesërmen kishin ardhur dy inspektorë dhe milicë në katund dhe e kishin arrestuar barin.
Te shkolla kishte një qeli që nga koha e Krajlit. E kishin torturuar, ia kishin shkulur thonjtë dhe mustaqet.
Çaushi kishte thënë: -Ah, dhe ky totkuni, i ka mbet me u marrë me politikë, e humb rrugën në oborr të vet.
Inspektori e kishte pyetur bariun:
-Për cilën parti e ke fjalën?
-Të rrojë Partia! Të rrojë Tito e Enver Hoxha!, i ishte përgjigjur bariu.
Tortura kishte vazhduar.
Inspektori i kishte thënë policit: -Siç duket, ky bir kurve nuk di se Stalini dhe Enveri janë armiqtë tanë.
Polici ia kishte kthyer:- E di mirë, por beht tosho. Këta janë gjithë primitivë, por janë shumë të rrezikshëm .
Në Odën e Ziber Çajanit, shpesh vinin burrat për muhabet dhe për të dëgjuar lajmet. Radion Ziberit, ia kishte sjellë djali nga Vllahia. Pasi kishin dalë nga xhamia, imami, myezini, Çaushi e të tjerë, shumica veteranë të Dovletit e disa veteranë të Kraljit serb, ishin ulur këmbëkryq nëpër shilte.
Çaushi nxori kutinë e rosfajt, që shkëlqente. Kutinë me tespih të filigranuar, ia kishin sjellë nga Stambolli. Ia dha kutinë djalit të nikoqirit që ta shpërndante për t’i thurur duhan, me fjalët e përsëritura: “Ndera e Çaushit.”
Në mes të dhomës ishte prushana,ndërsa mbi të ibriku nga i cili dilte avulli i çajit. Duke pirë çaj, patate të pjekura dhe gjizë, filloi muhabeti.
E mori fjalën Rustem Topojani: – Hoxhë Efendi, pashë din e iman, e pejgamber e Kuran, a po na kallxon, a ma mirë me Enverin, a me Titon?
I ulur këmbëkryq, Imami u kollit dhe mori gotën e çajit.
-Ne shqiptarët kemi qenë ma mirë në kohën e Italjes dhe Allamanit.
-Po po, tha njëri.
-Por na trego shkurt e shqip, a ma mirë me Titon, apo me Enverin?
Imami mori frymë thellë.
-Ma mirë me Titon se me Enverin.
Pllakosi heshtja. Të gjithë u kthyen me sy kah Imami.
Çaushi i tha Imamit: Ma mirë thuaju, a ma mirë me Titon, a me Stalinin? Domethanë, me Rusinë.
Rustem Topojani u ngrit. Mori bastunin dhe duke i rënë podit tha:
-Jazëk të qoftë! Të qoftë buka e katundit haram! Se jemi duke e ushqy me fli e mish dashi!
Pthu! – pështyu ai në dysheme. Rustemi mori fenerin dhe doli.
Qazim Luma, i acaruar, tha:
-Ti, Hoxhë, të qoftë buka e vitret haram, e t’u bëfshin zeherë, jarabi! Ishe me Dovletin e Serbin e parë, e tash prapë me Serbin e dytë!