Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka ngritur padi kundër “Wall Street Journal” dhe pronarit të tij Rupert Murdoch, duke kërkuar dëmshpërblim deri në 10 miliardë dollarë, për shkak të një artikulli rreth një urimi të supozuar për ditëlindje që presidenti amerikan ia kishte dërguar financuesit tashmë të ndjerë dhe keqbërësit seksual, Jeffrey Epstein.

Trump pretendon se pohimet në artikullin e “Wall Street Journal” janë të rreme. Konkretisht, “Wall Street Journal” javën e kaluar publikoi një artikull në të cilin pretendohej se emri i Trump shfaqej në një kartolinë “të pahijshme” për ditëlindje që ai gjoja ia kishte dërguar Epstein-it në vitin 2003, me rastin e 50-vjetorit të tij. Ky ishte një periudhë kur Epstein ende nuk ishte akuzuar për krime seksuale.

Sipas gazetës, kartolina përmbante disa rreshta tekst të shtypur, të rrethuar me një konturë të një gruaje nudo, për të cilën thuhej se ishte vizatuar me dorë me një marker të trashë. Brenda atij konturi, sipas “Wall Street Journal”, dhe siç e raportoi edhe “BBC”, qëndronte një mesazh i stilizuar si një bisedë imagjinare mes Trump dhe Epstein, i shkruar në vetën e tretë.

Supozimisht, kartolina përfundonte me fjali: “Një mik është një gjë e mrekullueshme. Gëzuar ditëlindjen – dhe qoftë çdo ditë një tjetër sekret i mrekullueshëm.”

Në lidhje me këtë, Trump reagoi ashpër, duke thënë se gazeta dhe pronari i saj Rupert Murdoch ishin paralajmëruar paraprakisht të mos e publikonin artikullin, për të cilin ai thotë se është “i rremë, dashakeq dhe shpifës”, duke shtuar se ata ishin paralajmëruar qartë se do të paditeshin nëse e publikonin.

“Këto nuk janë fjalët e mia, ashtu nuk flas e as nuk shkruaj. Gjithashtu, nuk vizatoj figura,” deklaroi Trump.

Në një postim të veçantë, Trump shkroi gjithashtu:

“Nëse ka pasur ‘prova të pakundërshtueshme’ kundër Epstein, pse demokratët, të cilët kanë kontrolluar ‘dosjet’ për katër vjet, nuk i përdorën ato? Sepse nuk kanë pasur asgjë!”