Shkruan: Azra Alija
“Puhizë në vargje”, një orë letrare në kuadër të Verës Kulturore Tetovare, “Tetova në festë” të organizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve “Oeneum” dhe nikoqirët e verës kulturore Komuna e Tetovës. Të pranishëm ishin poetë nga Tetova, Gostivari dhe Shkupi, miq të Oeneumit, por edhe miq të Tetovës, të cilët lexuan poezitë e tyre autoriale dhe zhvilluan diskutime për sfidat e poezisë në kohët e sotme. Kjo ishte një mundësi që Tetovës sonë t’i dhurojmë më shumë ngjyra arti dhe frymë poetike.
Sadije Aliti kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve Oeneum, theksoi se është viti i nëntë me rradhë që Shoqata e Shkrimtarëve Oeneum është pjesë e manifestimeve kulturore verore, duke faleminderuar të pranishmit, që edhe në ditë të diele, sakrifikojnë kohën e tyre për aktivitete letrare, pasi poezia është një dashuri e një sakrificë. “Me praninë e tyre na nderojnë sot poet nga Shkupi e Gostivari që janë miq të Shoqatës por edhe të Tetovës, dhe ata me vargjet poetike festojnë bashkë me tetovarët, si dhe mysafirët nga Dallasi, Amerika, që festojnë në vendlindje gjatë pushimeve.”-tha Aliti.
Fjalë përshëndetëse paraqiti edhe Besarta Ramadani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës, e cila përcolli përshëndetjet e Kryetarit të Komunës së Tetovës, z.Bilall Kasami, duke theksuar se Komuna e Tetovës çdo herë është në mbështjetje e përkrahje të veprimtarive letrare e kulturore për të ngritur në një cilësi më të lartë jetën artistike në qytet. Ajo shprehi një faleminderim edhe për anëtarët e Shoqatës së Shkrimtarëve Oeneum për bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen e tyre aktive në programin kultutor veror të organizuar nga Komuna.
Vargje e tyre peotike i lexuan: Sadije Aliti, Behare Neziri, Ejup Ajdini, Rami Kamberi, Adem Abdullahu, Bajramali Selimi, Muaxher Haruni, Merita Abzazi, Surja Etemi, Sulejman Meazi, Jusufzija Ademi, Mejreme Tushi Kajolli, Leme Ameti, Azra Alija, Merita Emurllai, Emira Ibishi, Bejza Isaki, e të tjerë.
Muzika e fjala artistike janë në shoqërim të përhershëm, dhe ky aktivitet ishte i shoqëruar edhe me tungujt e bukur të flautës të luajtura me shumë kënaqësi nga Merita Emurllai dhe me instrumentin e çiftelisë, një instrument i lashtë i traditës sonë kombëtare të luajtur nga Syrja Etemi. Aktivitetin e moderoi Emira Ibishi.
Poezitë janë dritare drejt përjetimeve personale dhe reflektimeve të thella, fjalët marrin vlerë të vërtetë vetëm kur ndahen me të tjerët, më shumë vargje, më shumë ndjenjë, e më shumë përjetim.