Ulje temperaturash dhe reshje lokale të dielën – rekomandime të reja për punëdhënësit për shkak të valës së të nxehtit

Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM) njofton se të dielën pritet të ketë paraqitje lokale të motit të paqëndrueshëm me shi të rrëmbyeshëm dhe bubullima. Temperaturat ditore do të fillojnë të bien.
Sot moti do të jetë me diell dhe shumë i nxehtë, me vranësira të vogla deri mesatare lokale. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtime të ndryshme.
Në Shkup, mot me diell dhe shumë i nxehtë, me erë të lehtë deri mesatare nga drejtimi veriperëndimor.
Deri të shtunën, moti do të mbetet me diell dhe shumë i nxehtë me vranësira lokale të vogla deri mesatare. Në disa vende, temperaturat ditore do të tejkalojnë 40°C dhe kudo do të jenë mbi mesataren për muajin korrik.
Për shkak të valës së zgjatur të të nxehtit, Qeveria ka dhënë rekomandime për punëdhënësit që, në periudhën nga 23 deri më 26 korrik, të lirojnë nga puna gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç, të mundësohet puna në distancë aty ku ka kushte, si dhe orar fleksibil apo me dy ndërrime, aty ku është e realizueshme.