Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka njoftuar në lidhje me një dënim që i ka ardhur nga FIFA pas ndeshjes kualifikuese ndaj Serbisë në kuadër të Kupër së Botës 2026.
Shqipëria ishte nikoqire e Serbisë më 7 qershor në “Air Albania”, me ndeshjen e vlefshme për Grupin K, e cila përfundoi me barazim 0-0.
Megjithatë, kjo ndeshje ka bërë që FSHF të dënohet nga FIFA “për shkak të sjelljeve të përsëritura të papërshtatshme dhe diskriminuese të një pjese të tifozëve shqiptarë”.
FSHF është dënuar me gjobë prej 161,500 franga zvicerane dhe detyrimin që ndeshja e radhës në shtëpi ndaj Letonisë të luhet me të paktën 20% të kapacitetit të stadiumit të mbyllur për publikun.
Postimi pa ndërhyrje i FSHF-së
FSHF është njoftuar zyrtarisht nga FIFA për një vendim disiplinor pas ndeshjes Shqipëri–Serbi
FSHF dënohet me gjobë prej 161,500 franga zvicerane dhe detyrimin që ndeshja e radhës në shtëpi ndaj Letonisë të luhet me të paktën 20% të kapacitetit të stadiumit të mbyllur për publikun.
Ky dënim vjen për shkak të sjelljeve të përsëritura të papërshtatshme dhe diskriminuese të një pjese të tifozëve shqiptarë (këngë me përmbajtje diskriminuese, hedhje objektesh, ndezje fishekzjarrësh, përdorimi i gjesteve apo mesazheve të papërshtatshme për një ngjarje sportive, si dhe ndërprerje gjatë himneve kombëtare).
Ky vendim është një penalizim serioz për gjithë komunitetin futbollistik dhe dëmton jo vetëm Federatën, por mbi të gjitha Kombëtaren. FSHF u bën thirrje të gjithë tifozëve të Kombëtares që të shmangin çdo veprim që mund të dëmtojë skuadrën tonë, të respektojnë rregullat ndërkombëtare dhe të kontribuojnë për një atmosferë dinjitoze në mbështetje të Shqipërisë.
Vetëm të bashkuar dhe të përgjegjshëm mund ta mbështesim Kombëtaren siç ajo e meriton.