KËTO NUK JANË VETËM ZGJEDHJE LOKALE

Shkruan: Xhelal Neziri

Partitë e shqiptarëve etnikë po e hapin gradualisht tabelën e shahut të politikës, duke u përgatitur të bëjnë lëvizjet e para në lojën e madhe. Zgjedhjet lokale, për kampin politik shqiptar, nuk do të jenë vetëm një betejë për komunat, por shumë më tepër se kaq. Në këtë përballje, Çairi dhe Tetova dallohen si arenat kyçe, ku nuk përplasen vetëm individë, por edhe projekte politike dhe vizione për të ardhmen.

Sondazhe konfidenciale sinjalizojnë se Visar Ganiu nuk është më një formulë fituese për koalicionin VLEN në komunën e Çairit. Në një skenar ku ai do të përballej me Bujar Osmanin, rezultati do të ishte bindshëm në favor të kandidatit të BDI-së. Kjo e vë koalicionin VLEN para një zgjedhjeje të vështirë: Izet Mexhiti do të duhet të kandidojë vetë. Për të, Çairi nuk është vetëm një komunë kaotike me dendësinë më të lartë të popullsisë në Evropë, por edhe baza e karrierës së tij politike.

BDI-ja, nga ana tjetër, në Çair do të garojë me asetetin e saj më të fuqishëm – Bujar Osmanin. Edhe për BDI-në, kjo nuk është vetëm një betejë lokale, por një përpjekje për të mbyllur përfundimisht kapitullin e përçarjes së brendshme të njohur si “grupi i zjarrit”. Qëllimi është eliminimi politik i udhëheqësit të kësaj përçarjeje, Mexhitit. Duke qenë se ai konsiderohet si lideri joformal i VLEN-it, fitorja në Çair synon edhe fshirjen e këtij koalicioni nga harta politike. Megjithatë, Mexhiti mbetet caku kryesor pasi vazhdon të jetë kanali kyç i rrjedhjes së strukturave të pakënaqura të BDI-së, të cilat nuk janë mësuar të funksionojnë në opozitë.

Kjo do të thotë se në Çair do të zhvillohet beteja mes liderit joformal të VLEN-it dhe trashëgimtarit të mundshëm të Ahmetit në BDI.

Paralelisht, Tetova bëhet linja e dytë dhe po aq e rëndësishme e frontit. Aty përballen Bilall Kasami, njëri nga liderët e VLEN-it, dhe Bajram Rexhepi, zyrtarisht njeriu i dytë në hierarkinë e BDI-së. Në këtë përplasje, pyetja nuk është vetëm kush do të fitojë, por edhe cili vizion do të dominojë në mesin e elektoratit shqiptar.

Megjithëse vëmendja publike zakonisht fokusohet te kandidatët për kryetarë komunash, pesha e vërtetë politike e partive matet përmes rezultateve të listave të këshilltarëve. Votat për kryetarë mund të jenë pasojë e karizmës personale, popullaritetit apo edhe koalicioneve. Por votat për listat e këshilltarëve janë shprehje e mbështetjes së pastër për partinë. Ato do të tregojnë se cila grupim e ka realisht legjitimitetin për të përfaqësuar shqiptarët në nivel kombëtar – veçanërisht në kontekstin e negociatave të ardhshme për koalicione dhe të mundshmeve rikonfigurime qeveritare.

Zgjedhjet lokale, ndonëse sipas përkufizimit i përkasin nivelit komunal, do të kenë pasoja të thella për skenën politike në nivel kombëtar. Ato do të vizatojnë hartën e dinamikave të reja politike dhe do të përcaktojnë hapësirën në të cilën do të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme parlamentare – qofshin ato të parakohshme apo të rregullta.

Në këtë fazë, çështja nuk është më kush do ta fitojë postin e kryetarit të komunës, por kush do ta mbijetojë përplasjen politike dhe do të dalë si përfaqësuesi i vërtetë i elektoratit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.