Drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës ka dhënë një prononcim ekskluziv për TS, duke sqaruar informacionet që qarkullojnë në opinion për një sulm të ndodhur ndaj një mjeku të këtij institucioni.

Sipas tij, mjeku i sulmuar nuk ka qenë në orar të punës dhe as në rrugë për në punë në momentin kur ka ndodhur incidenti. Ai theksoi se sulmi ka ndodhur për arsye personale dhe motive të tjera, të cilat nuk lidhen as me Spitalin Klinik të Tetovës dhe as me detyrën e tij profesionale si mjek.

“Dua të sqaroj se sulmi nuk ka asnjë lidhje me shërbimin që mjeku kryen në spitalin tonë dhe nuk është pasojë e ndonjë konflikti brenda institucionit,” deklaroi drejtori, duke shtuar se për rastin janë njoftuar edhe organet kompetente të rendit.

Ai gjithashtu konfirmoi se mjeku i sulmuar është pranuar menjëherë në spital, është trajtuar sipas protokolleve mjekësore dhe pas ekzaminimeve të nevojshme është lëshuar për kurim shtëpiak.

“Si Spital Klinik i Tetovës, dënojmë çdo akt dhune ndaj kujtdo qoftë, dhe shprehim mbështetje të plotë për personelin tonë mjekësor që punon me përkushtim pavarësisht vështirësive të përditshme,” shtoi drejtori në fund të deklaratës së tij.