Haradinaj: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese konfirmon se situata aktuale përbën rrezik real për rendin kushtetues

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, thotë se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese konfirmon se gjendja aktuale në vend përbën rrezik serioz për funksionimin kushtetues dhe institucional të shtetit, shkruan Reporteri.net.
Haradinaj thotë se sot ekziston frika reale se ndërhyrja e Gjykatës mund të ketë ardhur tepër vonë për të parandaluar pasojat që mund të ishin shmangur në kohë.
Postimi i tij i plotë:
Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese konfirmon se gjendja aktuale në vend përbën rrezik serioz për funksionimin kushtetues dhe institucional të shtetit. Pikërisht këtë e kishte theksuar edhe AAK në kërkesën e saj të parë drejtuar Gjykatës.
Fatkeqësisht, atëherë Gjykata nuk e shqiptoi masën e përkohshme, ndonëse kushtet ishin pothuajse identike me ato që vetë i ka pranuar tani. Në aktgjykimin e fundit, Gjykata konstaton se situata përbën rrezik real për rendin kushtetues, por megjithatë nuk kishte vendosur masën e kërkuar nga AAK.
Kjo vonesë e pajustifikueshme vetëm sa ka shtuar paqartësinë dhe krizën kushtetuese në vend. Sot ekziston frika reale se ndërhyrja e Gjykatës mund të ketë ardhur tepër vonë për të parandaluar pasojat që mund të ishin shmangur në kohë, sikur ajo të kishte vepruar me përgjegjësi në momentin kur u paraqit kërkesa jonë.