Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Muçunski thotë se zhvillimi i situatës me nismën për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Protokollit të takimit të dytë të Komisionit të përbashkët ndërqeveritar me Bullgarinë, të paraqitur në Gjykatën Kushtetuese nga ish-deputetja e RDM-së, Liljana Popovska, do të konfirmojë nëse ndryshimet kushtetuese janë pengesa e vetme për Bullgarinë për zhbllimin e procesit tonë eurointegrues.
“Bullgaria, në pozicionet zyrtare që i ka mbajtur, të paktën deri më tani, thotë se problemi i vetëm janë ndryshimet kushtetuese. Fatkeqësisht, unë nuk e besoj këtë sepse ndjek si retorikën ashtu edhe atë që po bëhet në praktikë, përfshirë atë që po ndodh në Parlamentin Evropian. Ndër të tjera, zhvillimi i kësaj situate do të jetë një konfirmim nëse vetëm ndryshimet kushtetuese janë problem apo ka diçka shumë më tepër. Para së gjithash, sepse ky protokoll në përmbajtjen e tij del jashtë kornizës së Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, ku vetë Bullgaria është e detyruar të na mbështesë në rrugën drejt integrimit evropian. Do të ndjekim, kemi skenarë të shumtë, po mendojmë se çfarë mund të ndodhë, sigurisht që prioriteti ynë mbetet rruga drejt anëtarësimit në BE, ndryshe nga paraardhësit tanë”, tha Mucunski sonte në një paraqitje në “Vesti Plus” në TV Kanal 5.
Sipas tij, i ashtuquajturi protokoll është një nga dokumentet më të dëmshme në historinë e politikës sonë të jashtme dhe i tillë siç është në këtë moment, nuk ka zbatim të detyrueshëm ligjor.
Kemi, theksoi, një procedurë para Gjykatës Kushtetuese, ajo duhet të jetë e pavarur dhe të japë këndvështrimin e saj, por aty ka elementë, gjëra dhe detaje, madje edhe disa aspekte që nuk korrespondojnë me vlerat e shekullit të 21-të dhe vlerat e BE-së.
Mucunski tha se marrëdhëniet tona me Sofjen nuk duhet të maten me këtë lloj çështjesh, por duhet të jenë progresive, të shikojnë drejt së ardhmes dhe të jenë të orientuar drejt gjetjes së zgjidhjeve.
“Le të presim që Sofja përfundimisht të dalë nga retorika e shekullit të 19-të. Një vend-anëtar i BE-së nuk mund t’i referohet vazhdimisht standardeve që lidhen me të drejtat e njeriut, ndërsa në të njëjtën kohë mohon të drejtat që lidhen me vetëvendosjen, me interpretimin tonë të historisë sonë kombëtare, me gjuhën tonë dhe me elementë të tjerë që janë pjesë e të ashtuquajturit identitet tonë si popull. Kjo është një e drejtë themelore njerëzore. Marrëdhëniet tona dypalëshe duhet të synojnë gjetjen e zgjidhjeve për të gjitha këto sfida dhe të presin me padurim lëvizjen e vendit drejt BE-së”, tha Mucunski.
Ai njoftoi se ende nuk ka pasur asnjë përgjigje nga pala bullgare për propozimin e kryeministrit Hristijan Mickoski për të parashtruar një rezolutë të përbashkët në Parlamentin Evropian për të garantuar identitetin dhe gjuhën maqedonase.
Ai bëri thirrje për arsye dhe për të parë se çfarë mund të na bashkojë, duke shprehur keqardhje që, siç tha ai, retorika nga Sofja është tmerrësisht negative, si dhe që edhe opozita ka një retorikë të tillë.
“LSDM-ja ka hyrë me vetëdije ose pa vetëdije në retorikën e Bullgarisë, nëse ka qenë e qëllimshme apo e paqëllimshme, varet nga ata që të përgjigjen”, theksoi ministri Mucunski