Një rast i tentativës për ryshfet është regjistruar më 25 korrik 2025, në ora 12:25, në pikën kufitare “Qafë Thanë”, gjatë kontrollit të rregullt në dalje nga territori i Maqedonisë së Veriut informon Tetovasot.

Sipas informacioneve nga autoritetet policore, nëpunës të Stacionit Policor për kontrolle kufitare “Qafë Thanë”, që veprojnë në kuadër të Qendrës Rajonale për Çështje Kufitare – Perëndim, kanë privuar nga liria dy shtetas të Shqipërisë: D.K. (35) dhe E.A. (22).

Rasti ndodhi kur, gjatë procedurës së zakonshme të kontrollit kufitar, D.K. vendosi para në dokumentet e tij të qarkullimit, për t’ia dorëzuar zyrtarit policor – veprim ky që përbën tentativë për ryshfet, një vepër penale e ndëshkueshme me ligj.

Pas konsultimeve me Prokurorin Publik kompetent, autoritetet kanë nisur procedurë penale përkatëse, dhe ndaj të dy personave do të paraqitet kallëzim penal.

Ky rast nënvizon rëndësinë e integritetit institucional dhe zero tolerancës ndaj korrupsionit, veçanërisht në zonat kufitare, ku sfidat e menaxhimit të fluksit ndërkombëtar të udhëtarëve kërkojnë vigjilencë maksimale dhe zbatim rigoroz të ligjit.Tetovasot

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume