Aleanca për Shqiptarët reagon me shqetësim të thellë ndaj praktikave të vazhdueshme të diskriminimit institucional dhe përjashtimit sistematik të shqiptarëve nga proceset vendimmarrëse në nivel shtetëror dhe lokal.
Barazia etnike nuk është privilegj, por e drejtë kushtetuese dhe parim themelor mbi të cilin është ndërtuar karakteri unitar i shtetit. Çdo shkelje, anashkalim apo deformim i këtij parimi jo vetëm që cenon drejtësinë shoqërore, por minon themelet e bashkëjetesës dhe vetë kohezionin institucional të shtetit.
Përpjekjet për të rishkruar rregullat e përfaqësimit në mënyrë që favorizojnë një etni mbi tjetrën, janë të papranueshme dhe përbëjnë kthim prapa drejt praktikave të dominimit monoetnik. Nëse kjo linjë politike vazhdon, shteti nuk do të mund të ruajë karakterin e tij unitar, por do të rrëshqasë drejt fragmentimit funksional dhe krizave të brendshme.
Aleanca për Shqiptarët nuk do të pranojë kurrë një shtet ku shqiptarët trajtohen si qytetarë të rendit të dytë. Ne do të mbrojmë me vendosmëri të drejtat tona kolektive dhe do të kundërshtojmë çdo iniciativë që tenton të shkelë balancën e ndërtuar me sakrifica të mëdha politike.
Barazia nuk është kërkesë politike – është kusht për stabilitet.