Banorët e Tetovës, veçanërisht po përballen me mungesë të rëndë të ujit të pijshëm një situatë alarmante në kulmin e vapës së korrikut.

Në kushte ku temperaturat ditore kalojnë 35°C, qytetarët ankohen se uji mungon për orë të tëra, e madje në disa zona nuk furnizohen fare me ujë për ditë të tëra. “Nuk kemi ujë thuajse 24 orë në ditë. Kjo po ndodh në zemër të Tetovës, në rrugën ‘Marshall Tito’. Në këtë vapë është e papranueshme të mos kemi qasje në ujë të pijshëm”, shprehet një qytetar për TS.

“Pse organizohen koncerte e aktivitete festive kur qytetarëve u mungon uji elementar? Në Lishoje nuk kemi fare ujë, dhe kur del pak, nuk është i pijshëm. Katër muaj pa zgjidhje – kjo është e pafalshme.” thotë një tjetër.

Qytetarët u bëjnë thirrje Komunës së Tetovës dhe Ndërmarrjes Komunale të Ujësjellësit që të reagojnë menjëherë. Në një kohë kur shëndeti publik është i rrezikuar, mungesa e ujit përbën një krizë serioze sociale dhe sanitare.

Deri më tani nuk ka asnjë sqarim zyrtar për arsyet konkrete të mungesës së ujit./TS/