Lewis Hamilton ka pranuar hapur zhgënjimin e tij, duke e cilësuar veten “thjesht të padobishëm”, pasi përfundoi i 12-ti në kualifikimet për Çmimin e Madh të Hungarisë, ndërsa shoku i tij i skuadrës te Ferrari, Charles Leclerc, befasoi duke siguruar pole position-in e parë të vitit për Ferrarin.

Hamilton nuk arriti të kalojë në sesionin e tretë të kualifikimeve, pasi gjatë gjithë fundjavës nuk gjeti ritmin e Leclerc. Ndërsa britaniku i zhgënjyer deklaroi shkurt: “ Jam thjesht i padobishëm. Kjo nuk ka të bëjë fare me makinën.”

Në pjesën e dytë të kualifikimeve, Hamilton u eliminua me një kohë 0.247 sekonda më të ngadaltë se Leclerc, i cili u rendit i gjashti më i shpejtë në atë fazë. Ky rezultat e çon bilancin e brendshëm në kualifikime mes dyshes Ferrari këtë sezon në 12-5 në favor të Leclerc, me një diferencë mesatare prej 0.146 sekondash për xhiro.

Forma e dobët e Hamilton të shtunave në vitin 2025 po vazhdon vështirësitë që ai pati sezonin e fundit me Mercedes, kur u mund vazhdimisht në kualifikime nga George Russell. Megjithatë, rezultati në Hungari bie ndesh me ecurinë e garave të fundit, ku Hamilton kishte arritur të qëndronte më afër Leclerc, përjashtuar një performancë të dobët javën e kaluar në Belgjikë, ku u eliminua që në sesionin e parë si në sprint ashtu edhe në garën kryesore pas disa gabimeve.

Pavarësisht zhgënjimit personal, Hamilton nuk ngurroi të përgëzojë Leclerc: “Është fantastike për ekipin që makina ka potencial për pole. Urime të mëdha për Charles.”

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume