Shkëndija e Tetovës është në prag të një tjetër mbrëmjeje evropiane të madhe. Kampionët zbresin në fushë në stadiumin në Shkup, ku do të përballen me Qarabag-un nga Azerbajxhani, në kuadër të rrethit të tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Djelmoshat e trajnerit Jeton Beqiri, synojnë të vazhdojnë ëndrrën evropiane, pas eliminimit të bujshëm të Steaua Bukureshtit në raundin e mëparshëm. Me moralin në kulm dhe përkrahjen e tifozëve të zjarrtë, Shkëndija do të kërkojë një rezultat pozitiv që do t’i hapte rrugën për më shumë lavdi në kontinent.

Edhe pse kualifikimi në një fazë grupore tashmë është i sigurt, të paktën në Conference League, Shkëndija duket se nuk e ka ndërmend të ndalet këtu. Sytë janë drejt një suksesi edhe më të madh, fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve, një arritje historike për klubin.