Kosova po përballet me një krizë institucionale, pasi Kuvendi i ri ka dështuar të formojë institucionet e reja të shtetit, pavarësisht përfundimit të zgjedhjeve parlamentare. Procesi i konstituimit të Kuvendit është bllokuar nga mosmarrëveshjet politike dhe sfidat ligjore, duke e çuar vendin në një situatë të paqartë dhe duke shkaktuar tensione të mëdha në skenën politike.
Në këtë kontekst, Gjykata Kushtetuese ka marrë një rol kyç, duke caktuar një masë të përkohshme që ndalon çdo vendim dhe veprim të deputetëve të zgjedhur pas datës 26 korrik 2025, deri në vendimmarrjen përfundimtare të saj. Afati për këtë vendim është përcaktuar më 8 gusht, duke e bërë këtë datë vendimtare për të ardhmen e institucioneve të Kosovës.
Ndërkohë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën njoftoi se ka tërhequr kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese, në të cilën kishte kërkuar sqarime mbi mënyrën se si duhet të veprojë në këtë rast.
Pas zhvillimeve të fundit, mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë dhe si do të veprohet pas përfundimit të afatit kushtetues.
Rugova tregon se cilat janë opsionet e Gjykatës Kushtetuese
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Naser Rugova, në një prononcim për “Bota Sot”, ka deklaruar se detyra e Gjykatës Kushtetuese është të nxjerrë shtetin nga kolapsi.
“Konsideroj që është detyrë e Gjykatës Kushtetuese që t’i japë rrugë ligjore konstituimit të Kuvendit dhe ta nxjerrë shtetin nga kolapsi”, ka theksuar ai.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka tri opsione, të cilat janë:
“Gjykata Kushtetuese ka tre opsione:
Detyrimin e deputetëve që të votojnë për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve – pra, konstituimin e Kuvendit;
T’u japë deputetëve një afat tjetër kohor për konstituimin e Kuvendit, dhe nëse as kjo masë nuk respektohet;
T’u merret mandati deputetëve dhe Presidentja të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme”, ka potencuar Rugova.
Kelmendi kërkon anulimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Kryetarin e Kuvendit
Ndërkaq, juristi dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi, ka rikujtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese në vitin 2015, kur kishte kundërshtuar aktgjykimin që i kishte dhënë të drejtë PDK-së për të propozuar Kryetarin e Kuvendit, edhe pse koalicioni tjetër kishte shumicën.
“Në vitin 2015 pata shkruar një punim për gazetën ditore Kosova Sot dhe në atë punim e pata kritikuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila i jepte të drejtë partisë së parë, PDK-së, përballë koalicionit tjetër, që kishte shumicën në Kuvend, për të pasur të drejtën për të zgjedhur Kryetarin e Parlamentit.
Me këtë vendim u thye koalicioni dhe LDK-ja me Isa Mustafën, Kryetar, shkoi te PDK-ja dhe zgjodhën Kryetarin e Kuvendit, z. Veseli. Kryeministër u bë z. Mustafa dhe më vonë u zgjodh President z. Thaçi.
Kjo zgjidhje u bë falë vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Me këtë vendim po veprohet edhe sot.
Mirëpo tash, nëpërmjet ish-gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, doli se ish-Kryetari i Gjykatës, z. Hasani, ka anuar nga grupimi politik i z. Thaçi, kur u vendos që vetëm partia e parë e ka të drejtën e kandidimit për Kryetar të Kuvendit.
Tash ish-gjyqtarët po e akuzojnë z. Hasani se e ka imponuar vendimin”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.
Tutje, Kelmendi ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese të anulojë vendimin e saj për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.
Sipas tij, afatet e vendosura nga Gjykata janë antikushtetuese dhe kjo nuk duhet të shkaktojë konfuzione të mëtejshme.
“Gjykata Kushtetuese kërkohet të anulojë vendimin e vet dhe të hapë mundësi që subjektet në Kuvendin e Kosovës të konkurrojnë për Kryetar të Kuvendit dhe kush merr votat, të zgjidhet Kryetar i Kuvendit. Sipas Kushtetutës, nuk ka ndalesë që të konkurrojnë disa kandidatë.
Thuhet se partia e parë e propozon Kryetarin, por nuk ka ndonjë normë që ndalon konkurrencën për këtë pozitë. I takon Gjykatës Kushtetuese të veprojë.
Nuk duhet që Gjykata të krijojë konfuzione edhe më të thella se sa janë. Afatet e përcaktuara nga Gjykata janë antikushtetuese”, ka thënë ai.
Në fund, Kelmendi ka deklaruar se në mungesë të një zgjidhjeje, Presidentja duhet në pajtim me partitë, të caktojë zgjedhje të reja, pa zgjatur krizën.
“Nëse nuk ka zgjidhje të çështjes, kërkohet që Presidentja, me pajtim me partitë, të përcaktojë zgjedhjet e reja, pa e vazhduar gjendjen e tillë.
Çdo ditë që kalon, po keqësohen raportet midis subjekteve politike dhe vetë politikanëve. Kështu ekziston mundësia e shpërthimit. Këtë nuk duhet lejuar.
Përgjegjësia është e partive, e politikanëve udhëheqës të tyre; e Presidentes dhe e Gjykatës Kushtetuese. Në fakt, për të gjithë këta ka dyshime se po kryejnë vepra penale. I takon Prokurorisë Speciale të hapë hetimet”, ka përfunduar Kelmendi.