Ministria e Shëndetësisë bën thirrje që të respektohen rekomandimet për mbrojtjen e shëndetit nga i nxehti

Me kthimin e temperaturave të larta në Maqedoninë e Veriut, nga Ministria e Shëndetësisë kanë bërë thirrje që të respektohen rekomandimet e përgjithshme për mbrojtjen e shëndetit nga i nxehti. Nga Ministria thonë se nga periudha 8 gusht deri më 13 gusht 2025 do të ketë rritje të ndjeshme të temperaturave ditore.
“Temperatura të larta gjatë ditëve në vijim – Të respektohen rekomandimet e përgjithshme për mbrojtjen e shëndetit
Ministria e Shëndetësisë informon opinionin publik se, sipas parashikimit më të fundit nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), në periudhën prej 8 deri më 13 gusht, 2025 pritet rritje e ndjeshme e temperaturave ditore, të cilat në disa rajone mund të arrijnë deri në 39°C.
Me këtë rast, rikujtojmë rëndësinë e respektimit të rekomandimeve të përgjithshme për mbrojtjen e popullatës nga temperaturat e larta:
• Qëndroni në ambiente të mbyllura dhe të freskëta, veçanërisht në periudhën nga ora 11:00 deri në 17:00.
• Konsumoni mjaftueshëm lëngje, duke shmangur pijet alkoolike dhe ato të ëmbla.
• Vishni rroba të lehta dhe me ngjyrë të çelët, dhe përdorni mbrojtje për kokën dhe sytë.
• Shmangni aktivitetet fizike gjatë orëve më të nxehta të ditës.
• Kushtoni vëmendje fëmijëve, të moshuarve, personave me sëmundje kronike dhe grave shtatzëna – këto grupe janë veçanërisht të ndjeshme ndaj temperaturave të larta.
• Në rast të simptomave si marramendje, dhimbje koke, të përziera ose rrahje të shpejta të zemrës – kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore.
• Shtyni aktivitetet në ambient të hapur gjatë pjesës më të nxehtë të ditës.
• Siguroni kushte mikroklimatike (ambient të freskët me temperaturë deri në 25°C) si në vendin e punës ashtu edhe në shtëpi.
Ministria po e ndjek me kujdes situatën në baza ditore dhe do të veprojë sipas vlerësimeve dhe nevojave”, theksojnë nga Ministria e Shëndetësisë.