Një tjetër gazetar palestinez ndërroi jetë të hënën nga plagët e pësuara në një sulm izraelit që vrau 5 korrespondentë të Al Jazeera-s në qytetin e Gazës, duke e çuar numrin e gazetarëve të vrarë në 238, thanë autoritetet lokale, transmeton Anadolu.
Sipas Zyrës për media të Qeverisë së Gazës, Mohammed Al-Khalidi, një gazetar palestinez që punonte për median “Sahat”, ndërroi jetë nga plagët e marra në sulmin izraelit të natës së kaluar.
Vdekja e Khalidit e çoi numrin e gazetarëve të vrarë në qytetin e Gazës të dielën në 6 dhe numrin e përgjithshëm të gazetarëve palestinezë të vrarë nga ushtria izraelite në Rripin e Gazës në 238, tha Zyra e medias në një deklaratë.
Ushtria izraelite shënjestroi një tendë gazetarësh pranë spitalit “Al-Shifa” në qytetin perëndimor të Gazës të dielën vonë, duke vrarë 5 gazetarë, përfshirë korrespondentët e Al Jazeera-s, Anas al-Sharif dhe Mohamed Qraiqea, sipas zyrës së medias.
Qeveria e Gazës dënoi “vrasjen sistematike të gazetarëve palestinezë në Gaza nga Izraeli” dhe u bëri thirrje institucioneve të të drejtave të njeriut dhe medias që të “dënojnë këto krime sistematike kundër gazetarëve në Gaza”.
Izraeli po përballet me dënime në rritje për luftën e tij gjenocidale në Gaza, ku ka vrarë më shumë se 61.400 palestinezë që nga tetori i vitit 2023.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për luftën e tij në enklavë.