Milioneri në Zvicër kapet duke vozitur me 27 km/h mbi kufirin e lejuar – përballet me gjobë prej 90,000 franga zvicrane

Një shofer u kap duke vozitur me 27 kilometra në orë mbi kufirin e lejuar në një rrugë të qytetit zviceran Lozanë dhe tani përballet me një gjobë deri në 90,000 franga zvicerane . Por ai mund ta përballojë.
Pse gjoba kaq marramendëse?
Sepse shoferi, i cili është përsëritës i shkeljeve, është një nga njerëzit më të pasur në Zvicër, dhe kantoni Vaud vendos gjobat duke u bazuar në faktorë si të ardhurat, pasuria apo situata financiare familjare.
Zviceranët nuk janë të vetmit me këtë sistem. Gjermania, Franca, Austria dhe vendet nordike gjithashtu vendosin ndëshkime në bazë të pasurisë së personit. Gjobat e larta nuk janë rekord i ri për Zvicrën – në vitin 2010 një milioner që drejtonte Ferrari u gjobit me rreth 290,000 dollarë për tejkalim shpejtësie në kantonin lindor St. Gallen.
Në atë kohë, grupi zviceran për sigurinë rrugore Road Cross tha se shoferët e pasur kishin marrë dënime të lehta deri në momentin kur votuesit miratuan një reformë të ligjit penal tre vjet më herët, që u lejoi gjyqtarëve të vendosnin gjoba në bazë të të ardhurave dhe pasurisë personale për kundërvajtje si tejkalimi i shpejtësisë apo drejtimi i mjetit nën ndikimin e alkoolit.
Sipas rregullave të sotme, një person pa të ardhura mund të kalojë një natë në burg në vend të gjobës, ndërsa më të pasurit e këtij vendi alpin mund të detyrohen të paguajnë dhjetëra mijëra franga.
Një gjykatë në kantonin Vaud së fundmi vendosi që biznesmeni duhet të paguajë menjëherë 10,000 franga zvicerane dhe mund të detyrohet të paguajë edhe 80,000 franga të tjera nëse kapet përsëri duke shkelur rregullat e trafikut brenda tre viteve të ardhshme.
Gazeta zvicerane 24 Heures e raportoi e para rastin, duke thënë se burri, i cili nuk është identifikuar, është shtetas francez dhe renditet nga e përjavshmja ekonomike zvicerane Bilan ndër 300 personat më të pasur në Zvicër – me pasuri në qindra miliona dollarë.
Sipas raportit, një radar automatik policor e fotografoi teksa voziste me 77 kilometra në orë në një zonë me kufizim 50 km/h në një rrugë të Lozanës. Prokurori bëri shpejt llogaritjen e gjobës maksimale që ai mund të përballej sipas ligjit.
Zëdhënësi i zyrës së prokurorëve publikë të Vaudit, Vincent Derouand, tha se i pandehuri nuk e kontestoi vendimin, i cili u mor në qershor për shkeljen e ndodhur gati një vit më parë – në gusht 2024.
Kodi penal i kantonit Vaud përcakton gjobën maksimale bazuar në “situatën personale dhe ekonomike të shkelësit në momentin e vendimit”, duke marrë parasysh të ardhurat, pasurinë, stilin e jetesës dhe nevojat financiare familjare.
Gazeta gjithashtu raportoi se ai ishte kapur edhe tetë vite më parë për një shkelje të ngjashme, kur kishte paguar 10,000 franga gjobë dhe përballej me edhe 60,000 franga të tjera nëse do të kryente një shkelje brenda dy viteve.
Në Zvicër, gjobat për tejkalim shpejtësie mund të prekin edhe policët: në vitin 2016, një oficer u gjobit pasi u kap duke vozitur gati dyfishin e shpejtësisë së lejuar nëpër rrugët e Gjenevës gjatë ndjekjes së hajdutëve që kishin shpërthyer një bankomat.