Të paktën tetë civilë janë vrarë dhe 35 të tjerë janë plagosur gjatë sulmeve ruse në Ukrainë në 24 orët e fundit, raporton Kyiv Independent.

Sulmet ndodhën disa orë para takimit të presidentit Volodymyr Zelensky me presidentin amerikan Donald Trump dhe vetëm disa ditë pas samitit të Trump me presidentin rus Vladimir Putin në Alaskë.

Sipas forcave ajrore ukrainase, trupat ruse gjatë natës kanë lëshuar 140 dronë luftarakë të tipit “Shahed” dhe dronë–mashtrues, si dhe katër raketa balistike “Iskander-M”.

Mbrojtja ajrore ukrainase ka rrëzuar 88 dronë rusë, ndërsa 25 raketa dhe dronë goditën 10 lokacione.

Në një sulm rus në rajonin e Harkivit u vranë të paktën katër civilë dhe 18 u plagosën, sipas guvernatorit Oleh Syniehubov, duke u dëmtuar dhjetëra ndërtesa banimi dhe disa automjete.

Në rajonin e Zaporizhzhias, një fëmijë u vra dhe gjashtë persona u plagosën kur forcat ruse kryen 502 sulme mbi 14 qytete, deklaroi guvernatori Ivan Fedorov.

Në rajonin e Donetskut, tre persona u vranë dhe shtatë u plagosën, bëri të ditur guvernatori Vadym Filashkin.

Në rajonin e Khersonit, dy civilë u plagosën kur forcat ruse sulmuan zona banimi dhe infrastrukturë kritike, duke dëmtuar 10 shtëpi, sipas guvernatorit Oleksandr Prokudin.

Sulmet ruse në rajonin e Sumit plagosën dy persona dhe shënjestruan 37 vendbanime me deri në 90 sulme, njoftuan autoritetet lokale.