Dy ditë para betejës së madhe në Sydney: Boksieri Lulzim Ismaili nga Tetova gati të përfaqësojnë flamurin shqiptar

Sydney po bëhet gati të mirëpresë një nga ngjarjet më të rëndësishme të sportit të boksit, ku boksierë nga e gjithë bota do të përballen për tituj të mëdhej, Lulzim Ismaili nën drejtimin e Halim Abazit do ta përfaqësoj shqiponjën kuq e zi duke garuar për disa tituj më lartë, Ismaili do të ngjitet në ring për të përfaqësuar jo vetëm veten, por edhe qytetin e ti të lindjes, Tetovën, dhe mbarë shqiptarët kudo që janë.
Sot në Australi është mbajtur konferenca për shtyp, ndërsa nesër është paraparë pesha zyrtare, një hap i rëndësishëm para përballjes vendimtare të 20 gushtit. Përfaqësuesit e Boxclub Shkëndija No Limit kanë theksuar se deri tani gjithçka ka shkuar sipas planit dhe se përgatitjet e gjata e të lodhshme po marrin formën e duhur.
“Ne vijmë nga një qytet i vogël, Tetova, nga një vend që shumë nuk e njohin, por jemi këtu me punën tonë, me besimin tonë dhe me flamurin shqiptar krenar në dorë,” kanë deklaruar Ismaili dhe Abazi, duke shtuar se mbështetja e bashkëkombësve është forca më e madhe që i motivon.
Atmosfera në Sydney tashmë është ndezur, pasi shumë shqiptarë nga Australia dhe vende të tjera të botës janë nisur për të ndjekur këtë duel të madh nga afër. “Shumë vëllezër e motra kanë ardhur nga larg për të na mbështetur – kjo na jep edhe më shumë forcë,” thanë boksierët tetovarë, të cilët premtojnë se më 20 gusht do të japin gjithçka për të dalë fitues.
Sipas tyre, kjo përballje nuk është thjesht një ndeshje sportive, por një test i madh force, qëndrueshmërie dhe krenarie. “Ne luftojmë për respekt, nder dhe fitore. Le të fitojë më i miri – ne besojmë në përgatitjen tonë dhe në rrugën tonë,” u shprehën ata.
Për klubin Shkëndija No Limit, kjo është vetëm një etapë e parë drejt një rrugëtimi shumë më të madh. “Ky është vetëm fillimi. Luftojmë për popullin tonë, për flamurin tonë dhe për të ardhmen tonë,” u tha në deklaratë.
Dueli i 20 gushtit pritet të jetë një nga ndeshjet më të përfolura për komunitetin shqiptar në diasporë, ku boksierët nga Tetova do të kërkojnë të shkruajnë historinë e tyre në arenën ndërkombëtare të boksit.