Një grup prej 30 deri në 50 fëmijësh palestinezë në gjendje kritike dhe të plagosur do të evakuohen nga Gaza në Mbretërinë e Bashkuar për trajtim mjekësor në javët e ardhshme.

Ata do të jenë fëmijët e parë që do të dërgohen në Mbretërinë e Bashkuar për trajtim si pjesë e një operacioni qeveritar që koordinohet nga Ministria e Jashtme, Ministria e Brendshme dhe Departamenti i Shëndetësisë.

Fëmijët do të zgjidhen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe do të udhëtojnë me anëtarët e familjes përmes një vendi të tretë, ku do të mblidhen të dhëna biometrike.
Bëhet e ditur se ky hap vjen pasi disa deputetë i shkruan një letër qeverisë duke i kërkuar atyre të sjellin fëmijët e sëmurë dhe të plagosur nga Gaza në Mbretërinë e Bashkuar “pa vonesë”.

Grupi ndërpartiak prej 96 deputetësh paralajmëroi se fëmijët ishin në rrezik vdekjeje të menjëhershme për shkak të “shkatërrimit” të sistemit të kujdesit shëndetësor në Gaza dhe çdo pengesë për evakuim duhet të hiqet menjëherë, shkruan BBC.

Bëhet e ditur se disa fëmijë nga Gaza tashmë janë dërguar privatisht në Mbretërinë e Bashkuar për trajtim mjekësor përmes një iniciative nga organizata Project Pure Hope (PPH), por qeveria deri më tani nuk ka evakuuar asnjë përmes skemës së saj gjatë konfliktit.

Më herët në gusht, qeveria tha se planet për të sjellë më shumë fëmijë në Mbretërinë e Bashkuar për trajtim mjekësor po zbatoheshin “me ritëm të shpejtë”.

Nuk është e qartë se nëpër cilin vend të tretë do të kalojnë fëmijët dhe saktësisht sa prej tyre do të përfshihen ose nëse do të pasojnë grupe të tjera.

Duke pasur parasysh sfidën e kthimit të fëmijëve në Gaza, kuptohet që disa mund të hyjnë në sistemin e azilit pas përfundimit të trajtimit.

Raportohet se më shumë se 50,000 fëmijë janë vrarë ose plagosur që kur filloi lufta në Gaza në tetor 2023, sipas organizatës bamirëse të OKB-së UNICEF.

Që nga fillimi i luftës, Mbretëria e Bashkuar ka siguruar fonde në mënyrë që banorët e plagosur të Gazës të mund të trajtohen nga spitalet në rajon dhe gjithashtu ka punuar me Jordaninë për të dërguar ndihma nga ajri në territor.

Fëmijët e dërguar në Mbretërinë e Bashkuar sipas skemës qeveritare do të trajtohen në NHS.