Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka folur pas takimit të rëndësishëm me liderët e Europës, mes tyre Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, si dhe disa nga figurat më të larta të Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare të NATO-s.

“Pata një takim shumë të mirë me të ftuarit e shquar.”- tha Trump në një postim në platformën Truth Social, duke listuar pjesëmarrësit, Presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri britanik Keir Starmer, presidenti finlandez Alexander Stubb, si dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

Sipas Trump, diskutimet janë përqendruar në sigurinë e Ukrainës dhe në hapat e mëtejshëm drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme.

“Gjatë takimit diskutuam Garancitë e Sigurisë për Ukrainën, të cilat do të ofroheshin nga vendet e ndryshme evropiane, në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.” – shkroi ai.

Në përfundim të bisedimeve, Trump zbuloi se ka kontaktuar drejtpërdrejt me Presidentin rus Vladimir Putin.

“E thirra Presidentin Putin dhe fillova përgatitjet për një takim, në një vend që do të përcaktohet më vonë, midis Presidentit Putin dhe Presidentit Zelenskyy.” -deklaroi ai, duke shtuar se më pas planifikohet një takim trepalësh ku do të marrë pjesë edhe ai vetë.

Duke e cilësuar këtë si një hap domethënës drejt paqes, Trump tha:

“Të gjithë janë shumë të lumtur për mundësinë e PAQES për Rusinë dhe Ukrainën.”

Presidenti amerikan bëri të ditur gjithashtu se përgatitjet po koordinohen nga zëvendëspresidenti JD Vance, sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i dërguari special Steve Witkoff. “

Ky ishte një hap shumë i mirë dhe i hershëm për një luftë që ka vazhduar për gati katër vjet,” – u shpreh Trump.