Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duket se kishte harruar apo nuk ishte i vetëdijshëm që mikrofoni ishte i ndezur dhe u regjistrua duke i thënë presidentit francez, Emmanuel Macron, se mendon që presidenti rus, Vladimir Putin, “dëshiron të bëjë një marrëveshje”.

Biseda midis dy udhëheqësve botërorë u zhvillua përpara takimit shumëpalësh në Shtëpinë e Bardhë, transmeton Telegrafi.

Trump u dëgjua në mikrofon pasi pati një takim me Volodymyr Zelensky në Zyrën Ovale dhe po shkonte për bisedime me udhëheqësit evropianë.

“Mendoj se ai dëshiron të bëjë një marrëveshje”, i pëshpëriti Trump Macronit në Dhomën Lindore.

“Mendoj se ai dëshiron të bëjë një marrëveshje për mua, e kupton këtë? Sa e çmendur që tingëllon”, shtoi Trump.

Presidenti amerikan besohet se e ka ndërprerë takimin e tij me Zelenskyn dhe udhëheqës të tjerë evropianë për të telefonuar Putinin.

Një burim i tha CNN se udhëheqësit evropianë nuk ishin të pranishëm për diskutimin e Putinit dhe Trumpit.

Biseda me udhëheqësit evropianë ishte planifikuar të vazhdonte pas telefonatës me Putinin, siç raportohet nga gazeta gjermane Bild.

Ndërkohë, Trump foli hapur për bisedën e tij me Putinin në një postim në Truth Social.

“Pata një takim shumë të mirë me të ftuarit e shquar, presidentin Volodymyr Zelensky të Ukrainës, presidentin Emmanuel Macron të Francës, presidentin Alexander Stubb të Finlandës, kryeministren Giorgia Meloni të Italisë, kryeministrin Keir Starmer të Mbretërisë së Bashkuar, kancelarin e Republikës Federale të Gjermanisë, Friedrich Merz, Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Shtëpinë e Bardhë, i cili përfundoi me një takim të mëtejshëm në Zyrën Ovale”, shkroi ai.

“Gjatë takimit diskutuam Garancitë e Sigurisë për Ukrainën, të cilat garanci do të ofroheshin nga vendet e ndryshme evropiane, në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të gjithë janë shumë të lumtur për mundësinë e paqes për Rusinë/Ukrainën”, shtoi Trump.