Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pas bisedimeve disaorëshe në Shtëpinë e Bardhë me udhëheqësit evropianë tha se po punon për të organizuar një takim me presidentët e Ukrainës dhe Rusisë, transmeton Anadolu. Trump tha se takimet ishin “shumë të mira” dhe trajtoi garancitë e sigurisë për Ukrainën, duke përfshirë edhe angazhimet “që do të ofroheshin nga vendet e ndryshme evropiane, me një koordinim me SHBA-të”.

“Të gjithë janë shumë të lumtur për mundësinë e paqes për Rusinë/Ukrainën. Në përfundim të takimeve, e thirra Presidentin (Vladimir) Putin dhe fillova përgatitjet për një takim, në një vend që do të përcaktohet, midis presidentit Putin dhe presidentit (Volodymyr) Zelenskyy”, tha ai në platformën amerikane të mediave sociale, Truth Social.

Putin, ka rënë dakord të takohet me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski brenda dy javëve të ardhshme gjatë një telefonate me Presidentin amerikan Donald Trump, tha kancelari gjerman Friedrich Merz. Vendi i zhvillimit të takimit ende nuk është përcaktuar, u tha Merz gazetarëve të hënën në mbrëmje. Ndërkaq, Zelenskyy u tha gazetarëve se është gati të takohet me Putinin në çdo format dhe tha se ishte Rusia ajo që ofroi takimin dypalësh, e ndjekur nga përfshirja e Trumpit. Ai tha se ende nuk është caktuar një datë.

Presidentja e Parlamentit Evropian (PE), Roberta Metsola, në reagimin e saj tha se takimi në Washington mund të shënojë një “ndryshues të lojës” në rrugën drejt paqes në Ukrainë. Ndërkaq, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se 30 vende po punojnë për një kornizë garancish sigurie për Ukrainën, duke theksuar se SHBA-ja tani është e përgatitur t’i bashkohet iniciativës.

Negociatat mbi komponentët kryesorë të një marrëveshjeje të mundshme për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë u zhvilluan gjatë dy raundeve, duke kulmuar me një takim vetëm për udhëheqësit në Zyrën Ovale pas një takimi të zgjeruar të veçantë në Dhomën Lindore.

Midis zyrtarëve që morën pjesë në bisedime ishin kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Friedrich Merz, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni dhe presidenti finlandez, Alexander Stubb. Në bisedime mori pjesë edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.