ASH – Tetovë: VLEN vazhdon presionet ndaj gazetarëve!
Sot në Tetovë ndodhi një akt i rëndë dhe i papranueshëm për një shoqëri demokratike: gazetari Nevrij Ademi nga mediumi Tetovasot u ndalua dhe u mbajt për më shumë se dy orë në polici, vetëm pse kërkoi informacion publik për një çështje që i përket interesit të qytetarëve të Tetovës. Ky veprim është urdhëruar politikisht nga kryetari i komunës, Bilall Kasami, i cili ka degraduar çdo standard demokratik dhe liri të shprehjes në qytet.
Kur një gazetar ndalohet vetëm pse kërkon të vërtetën, kur policia mobilizohet jo për të mbrojtur rendin por për të mbrojtur interesat personale të pushtetit lokal, atëherë kemi hyrë në territorin e rrezikshëm të autokracisë.
Aleanca për Shqiptarët – Dega Tetovë e dënon me forcë këtë sjellje skandaloze dhe i bën thirrje të gjitha organizatave për të drejtat e njeriut, shoqërisë civile dhe trupave diplomatikë në vend që të ndjekim me vëmendje sjelljen diktate të Bilall Kasamit ndaj mediumeve. Ne qëndrojmë fuqishëm në krah të mediumit Tetovasot dhe gazetarit Nevrij Ademi dhe çdo zëri të lirë në këtë vend. Tetova nuk do të heshtë përballë frikësimit politik. Liria e shprehjes nuk do të mbytet nga urdhrat e Bilall Kasamit dhe arroganca e pushtetit që veç më i trembet humbjes.