Sezoni 2024-2025 ishte ndoshta më i komplikuari që kur Pep Guardiola është ulur në bankinën e Manchester Cityt.

Një seri historike prej pesë humbjesh radhazi dhe shtatë ndeshje pa fituar, i lanë “Citizens” jashtë Carabao Cup, larg garës për titull të kampionit në Premierligë dhe një hap larg eliminimit nga faza e ligës në Champions.

Vetëm falë intervenimeve në afatin kalimtar të dimrit, më saktësisht 200 milionë funte të investuara, klubi ia doli që ta ndalë thyerjen dhe ta sigurojë kualifikimin në Ligën e Kampionëve, shkruan “Gazeta Express”.

Në këtë kontekst turbulence, e ardhmja e Guardiolës dukej e paqartë, sa që emri i tij lidhej me bankinën e Kombëtares angleze, e cila kishte mbetur e zbrazët pas largimit të selektorit Gareth Southgate.

Në fund, Federata Angleze e zgjodhi trajnerin gjerman Thomas Tuchel, ndërsa “Qytetarët” e blinduan Pep deri në vitin 2027.

E tash, vetë ish-trajneri i Barcelonës dhe i Bayern Munichut e la të hapur mundësinë që të qëndrojë edhe më gjatë në “Etihad Stadium”.

“I kam edhe dy vjet kontratë, ndoshta do të vazhdoj edhe për dy të tjerë. Nuk e di se kur do të ndalem: këtë vit, pas dy apo katër vjetësh. Për momentin jam mirë, ndihem i motivuar”, deklaroi spanjolli për “Men in Blazers”.

Guardiola e lavdëroi dhe e përshëndeti edhe ambientin e mrekullueshëm që mbretëron në klub.

“Nëse rri për 10 vjet në një pozitë është sepse ndihesh si në shtëpi. Nuk mund të kërkoj më shumë, futbolli ka qenë mjaft bujar me mua”, shtoi ai.

Guardiola e nisi sezonin e ri me këmbë të mbarë, duke e dërrmuar Wolverhamptonin, 0:4, duke i rigjetur paraqitjet e mira që nisën në Botërorin e Klubeve.

Me përforcimet e reja, Pep beson në një sezon pozitiv.

“Në këtë vit do të kemi më shumë konsistencë sesa në sezonin e kaluar”, përfundoi trajneri spanjoll.